Hong Kong, dhjetëra mijëra në manifestimin e radhës

schedule19:16 - 18 Gusht, 2019

schedule 19:16 - 18 Gusht, 2019

Në Hong Kong janë rikthyer protestat paqësore të aktivistëve që kundërshtojnë vartësinë nga Kina. Këtë herë manifestuesit janë distancuar nga aktet e dhunës, të verifikuara së fundmi me zaptimin e aeroportit.

Qindra mijëra qytetarë u bashkuan të dielën në Hong Kong në protestën e radhës kundër qeverisë. Ata sfiduan shiun e dendur në javën e 11-të të manifestimeve, që në ditët e fundit u kthyen të dhunshme, duke përfunduar në përleshje mes demonstruesve dhe policisë.

Nisur nga pjesëmarrja, tubimi i së dielës tregoi se lëvizja qytetare ka ende një mbështetje me bazë të gjerë pavarësisht akteve të fundit, kur aktivistët zaptuan aeroportin. E diela kaloi në qetësi, me manifestuesit që shmangën konfrontimet, por që nuk u treguan të qartë për hapin e tyre të ardhshëm.

Ndërkohë, policia e pajisur me mjete anti-turmë kontrolloi dokumentet e identitetet të disa prej demonstruesve në perëndim të zonës financiare të qytetit, ku kishte një prani të theksuar të forcave të rendit.

Protestat kundër projekt/ligjit që do të lejonte ekstradimin e kriminelëve dhe disidentëve në Kinë nisën në Qershor, por shumë shpejt ato u ushqyen nga shqetësimi për humbjen e autonomisë së qytetit, që garantohet në bazë të formulës “një vend, dy sisteme”, e aplikuar që kur Hong Kongu iu kthye Kinës nga Britania në vitin 1997.

Të dielën, protestuesit mbajtën pllakate me shkrime “Çlironi Hong Kongun” dhe “Duam demokraci”. Turma e mbledhur në parkun Viktoria, ku manifestimi nisi, vijoi në mënyrë paqësore në prani jo vetëm të të rinjve, por edhe të rriturve dhe të moshuarve.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!