“Homo Bulla” quhet ekspozita e hapur në “Air Albania” Stadium ku mund t’i shikosh me qetësi dhe me rehati 8 piktura jo të zakonshme.
Për këtë ekspozitë artisti Erand Nebo ka punuar për një vit.
Piktori i ftuar në “ABC” me gazetarin Endri Xhafo foli për stilin e ri që ka filluar të aplikojë në këto 8 piktura të para të tij.
Siç thotë vetë Nebo, kalimi nga një stil në stilin tjetër, varet nga gjendja e brendshme e vetë artistit, dhe në mesazhin që mendon se duhet shprehur përmes telajos.
“Kam një vit e gjysmë që punoj, në fakt ky është një devijim i stilit që kam patur. Stili i parë është më dominues dhe më agresiv, ndërsa në stilin e ri ku pjesa e dominimit apo forcës këtu, kthehet në formën më të qetë”, thotë Nebo.
I pyetur nga gazetari Endri Xhafo nëse ka një mënyrë se si përcaktohet vlera e një vepre arti, Nebo thotë se në Shqipëri është e vështirë të përcaktohet një vlerë fikse për këtë, dhe se ajo është individuale.
“Është e vështirë të nxjerrësh një përcaktim fiks sidomos në tregun shqiptar. Vlera është individuale, çdo artist kupton sa kushton vepra e tij. Në botë në vende të caktuara vlerësohet në bazë të krahasimit me të tjerët”, tha Nebo.
n.d./abcnews.al