Holandë-Turqi, ndërpriten marrëdhëniet diplomatike

schedule19:00 - 5 Shkurt, 2018

schedule 19:00 - 5 Shkurt, 2018

Turqia po largohet gjithnjë e më shumë nga Bashkimi Europian, marrëdhëniet me të cilin u ftohën pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016. Së fundmi ka qenë Holanda që ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Ankaranë, për shkak të qëndrimit radikal të regjimit të presidentit Erdogan.

Qeveria holandeze ka vendosur të tërheqë ambasadorin e saj në Ankara, i cili nuk është lejuar të hyjë në Turqi që prej Marsit 2017. Është vit kur filloi kriza për ndalimin e mitingjeve elektorale në Europë për ministrat turq, që mbështesnin referendumin që do t’i jepte më shumë pushtet presidentit Erdogan. Lajmi bëhet i ditur në një njoftim për shtyp të ministrisë së Jashtme holandeze, me seli në Hagë.

“Holanda dhe Turqia kanë zhvilluar kohët e fundit një sërë bisedimesh të niveleve të ndryshme. Deri në momentin që flasim, këto bisedime nuk kanë ofruar asnjë perspektivë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në njoftimin zyrtar. Përsa kohë nuk do të ketë një ambasador në Turqi, Holanda nuk do t’i japë leje një ambasadori turk të marrë funksionet e tij në territorin e saj.

Qëndrimi i qeverisë së Vendit të Ulët i është përcjellë të ngarkuarit me punë të Turqisë në Hagë, të cilit i është bërë gjithashtu i ditur se do të ketë një ndërprerje të bisedimeve me Ankaranë. “Bisedimet e fundit i dhanë dy vendeve mundësinë për t’u afruar me njëra-tjetrën, por nuk arritëm të binim dakord për mënyrën se si do të normalizoheshin marrëdhëniet dypalëshe”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Hlabe Zijlstra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!