Matematika nuk e lejon të festojë përpara kohe, por Holanda mund të cilësojë veten që tani si finaliste e “Botërorit 2026”. “Tulipanët” i shtuan një tjetër fitore ecurisë së tyre në Grupin G kualifikues, duke mundur 4-0 Finlandën.
Ky sukses i lejon skuadrës së drtejtuar nga Ronald Komeman të ruajë vendin e parë dhe diferencën me ndjekësit më të afërt. Rezultati tregon qartë lehtësinë me të cilën e zgjidhën holandezët këtë sfidë. Në fakt, vendasit e vranë atë me tre gola që në pjesën e parë. Malen, Van Dijk dhe Depai me 11 metërsh siguruan fitoren e Holandës përpara pushimit. Vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, Gakpo plotësoi “pokerin”, për të vulosur fitoren e Holandës, që kryeson me 16 pikë Grupin G.
I njëjti diskutim vlen edhe për Kroacinë, që pret vetëm të vulosë biletën e saj për në finalet e Botërorit të ardhshëm. Kroatët bënë detyrën në fushën e tyre, duke kaluar pa asnjë probem 3-0 Gjibraltarin. Me skuadrën e dytë në fushë, vendasit shënuan golat e fitores me Fruk në pjesën e parë dhe Suçiç e Majer në të dytën. Pas gjashtë ndeshjesh, Kroacia kryeson me 16 pikë Grupin L, ku gara më e fortë bëhet për vendin e dytë.
Ndërkohë, janë shuar të gjitha shpresat e Greqisë për një vend në finalet e Kupës së Botës. Në ndeshjen e fundit, helenët u mundën 3-1 në transfertën e Danimarkës, duke vulosur fatin e tyre në këto kualifikuese. Danezët shënuan tre gola në pjesën e parë me Hojlund, Andersen dhe Damnsgard, duke vendosur shpejt suksesin. Pas pushimit, Colis vetëm sa zbuti humbjen, por jo dështimin e Greqisë që në katër ndeshja ka vetëm 3 pikë. “Beteja” për vendin e parë në Grupin C do të zgjidhet mes Danimarkës dhe Skocisë që kryesojnë me pikë të barabarta./abcnews.al

