Hodhi gruan nga dritarja, Rukaj i shpëton burgut përjetë, revoltohen familjarët e viktimës

schedule19:02 - 21 Shtator, 2017

schedule 19:02 - 21 Shtator, 2017

Gjykata për Krimet e Rënda shpalli fajtor Ferdinant Rukajn, për vrasjen e bashkëshortes së tij në dhjetor 2016 në Fier, duke e hedhur nga dritarja e katit të katërt. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënimi i tij me 35 vjet revoltoi familjarët e viktimës.

Dhjetë muaj pasi iu vrau nënën duke ua hedhur nga dritarja e katit të katërt, Ferdinant Rukaj i përdori si argument në gjyq fëmijët e tij të mitur. “Për hir të dy fëmijëve, kërkoj mëshirë”, i tha trupit gjykues për Krimet e Rënda, para tërheqjes në dhomën e këshillimit. Kërkesa e tij nuk ndikoi tek vendimi i gjykatës. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij, Liljana Ruko në dhjetor 2016 në Fier, ndërkohë që ajo ishte nën efektet e një urdhri-mbrojtjeje.
Por ndryshe nga bindja e gjykatës, 52 vjeçari u mëshirua nga ligji. Ai i shëptoi burgut përjetë, për shkak se gjykimi i tij u zhvillua me procedurë të shkurtuar. Përfundimisht Rukaj duhet të vuajë vetëm 35 vjet burg.
Në seancën e të enjtës, para shpalljes së vendimit, gjykata dëgjoi përfundimtare të mbrojtjes, e cila pranoi akuzën dhe shfaqi pendesë.
Vetë Ruko rrëfeu marrëdhënien e acaruar me bashkëshorten. “Ajo përdori urdhrin e mbrojtjes, për të më provokuar dhe sulmuar”, pretendoi ai. Vendimi nuk u mirëprit nga familjarët e viktimës. Një prej tyre braktisi sallën e gjyqit i revoltuar teksa po lexohej vendimi.
Fatin e Ferdinant Rukajt, i cili i shpëtoi burgut përjetë falë gjykimit të shkurtuar, nuk do ta kenë edhe shumë të akuzuar të tjerë. Me ndryshimet e pësuara në Kodin e Procedurës penale, të cilat hynë në fuqi në 1 gusht, personat e akuzuar për vrasje brenda familjes nuk kanë më të drejtën për të kërkuar këtë lloj gjykimi.

https://youtu.be/_O5j_WrEvzM