Është emëruar këtë të hënë, më 30 mars, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, një figurë që ka ngjallur menjëherë reagime në skenën politike.
Në përgjigje të akuzave të opozitës, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mbrojti zgjedhjen e bërë, duke e cilësuar Hitën si “oficer karriere” dhe një profesionist me përvojë të gjatë në radhët e policisë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Lamallari theksoi se bashkëpunon prej 9 vitesh me Skënder Hita, duke vlerësuar integritetin, përkushtimin dhe kontributin e tij në disa qarqe të vendit. Emërimi i ri vjen mes debatit politik, ndërsa qeveria kërkon besim dhe mbështetje për drejtimin e ri të Policisë së Shtetit.
“Duke qenë se nuk i shpëtuam edhe kësaj radhe akuzave për Policinë e Shtetit, edhe pse vetëm sot është miratuar vendimi i qeverisë për caktimin në detyrë të Drejtorit Madhor Skënder Hita, për fatin e keq të drejtuesit të ri i cili duhet të marrë parasysh që në përshkrimin e detyrës së tij do të ketë akuza dhe bazë të opozitës. Në fakt policisë duhet dhënë besim dhe përkushtim dhe le ta besojmë me punë që ai i shërben shtetit shqiptar, qytetarëve dhe integrimit të vendit. Hita është oficer karriere, unë kam pasur rastin që të bashkëpunoj prej 9 vitesh me të tashmë, që kur unë pata nderin që t’i bashkohem Ministrinë së Brendshme rreth 9 vite më parë. Ka qenë drejtues në disa qarqe më parë, ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin, për përkushtimin ndaj uniformës dhe organizatës. Jam shumë i lumtur që nga konkursi, ka spikatur roli i tij dhe kontributi i tij për disa vite në Policinë e Shtetit. Zoti Hita, ata që kanë qenë më parë, por edhe ata që vijnë më pas janë mësuar që gjithçka bëhet politike, për fat të keq edhe Policia e Shtetit”, tha Lamallari.


