Po I afrohet të shtatëdhjetave, por punës nuk i bën bisht.
Në oborrin e tij ka të instaluar makineritë e përpunimit të drurit. Met Axhami nga Shtiqni i Kukësit, ndër të paktët mjeshtra të zdrukthtarisë në Kukës, thotë se makineria është në punë këtu e 60 vite më herët, në kohën e ish kooperativës bujqësore.
Me këtë makineri, dikur punonte i ati i Metit, zanat që e trashëgoi më pas edhe vetë.
E ka nisur që në moshën 18-vjeçare. Thotë se i ati e merrte me vete deri sa mori zanatin dhe u bë I zoti për punë.
Më pas ka shërbyer në repartin ushtarak si zdrukthtar për prodhimin e dyerve dhe të dritareve sipas nevojave të reparteve ushtarake të asaj kohe.
Punon vetrata, dyer, dritare, tavolina e ambiente dekorative me dru. Pisha e zezë është druri që përdor më shumë, pasi sipas tij është druri më i mirë dhe rezistent..
Vështirësitë e punës me dru janë të shumta, madje edhe me rrezik.
Kujton edhe momentin kur ka patur incidentin me gishtat e njërës dorë
Zanati i zdrukthtarit është i kërkuar dhe s’të lë pa punë, madje Met Axhami këshillon të rinjtë të mos largohen nga vendi por të punojnë në këtë profesion.
Shfrytëzon rastin për të adresuar këtë kërkesë tek të rinjtë që të marrin zanat e t’i përkushtohen atij./abcnews.al