Për fëmijët është normale që ndërsa rriten të jenë të rrëmujshëm dhe vazhdimisht në lëvizje. Megjithatë, sjellje të tilla mund të kenë të bëjnë me hiperaktivitetin ose sindromën ADHD. Psikologia Sibora Kalluçi u shpreh se ka disa sjellje që mund t’ju vijnë në ndihmë prindërve për të vënë re simptomat e këtij çrregullimi tek fëmijët.
“Kur një fëmijë ka vështirësi në funksionet ekzekutive, ndërveprimin, të menduarit, të kuptuarit, çuarja e një detyre deri në fund, kur ne shohim që fëmija vërtetë has vështirësi të theksuara me impulsivitet, mungesë të theksuar të vëmendjes, përqendrimin atëherë flasim për këtë diagnozë. Një detaj për t’u theksuar është mosha e diagnozës, rreth fëmijërisë së hershme shohim simptoma hiperaktiviteti, por nuk vendoset përpara moshës 12 vjeç.”, u shpreh psikologia.
E ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, psikologia tregoi se hiperaktiviteti mund të jetë gjenetik, por gjithashtu ndikojnë dhe faktorë biologjikë. Më tej, Sibora shtoi se fëmijët kanë predispozitë t’i mbartin këto simptoma dhe gjatë adoleshencës apo në një moshë më të rritur. “Janë simptoma që vazhdojnë por nëse bëhet një punë e mirë me një plan ndërhyrje individual të mirëmenaxhuar nga të gjithë aktorët në rritjen dhe edukimin e fëmijës, atëherë kemi një shuarje të këtyre simptomave.“, tha ajo.
Kur duhet t’i drejtohen prindërit psikologut? Sibora vuri theksi tek tre shtyllat bazë që identifikojnë këtë çrregullim si impulsiviteti i fëmijës, hiperaktiviteti, vështirësi në të qëndruarit ulur, kontakti me sy, mospërfundimi i një detyre të dhënë. /abcnews.al