Himni i jetimit, çfarë ndodh me ta kur dalin nga institucionet e kujdesit social

schedule20:46 - 21 Maj, 2022

schedule 20:46 - 21 Maj, 2022

Nga emisioni VETTING

Çfarë ndodh me një jetim kur del nga institucionet e kujdesit social? Pa familje, pa strehë, pa profesion, pa të ardhura, i vetëm në këtë botë. Thirrja dramatike, klithma e jetimit për nënën e munguar shkon drejt askundit e kurrkush se dëgjon,  se në të vërtetë shumë pak prej nesh përpiqemi të lundrojmë në peisazhet e zymta të shpirtit të një jetimi, se rruga e tyre është vetmi, lot e dhimbje. Të mbetur pa nënë e babë a të braktisur prej tyre, ata gjejnë shpresë tek institucionet e kujdesit social.

Denisi ishte 9 vjeç kur e braktisën prindërit. Ai nuk gjeti asnjë derë tjetër të hapur dhe mori vendimin të nisej drejt komisariatit të policisë për t’iu thënë se ishte vetëm në këtë botë dhe i duhej një strehë ku të kalonte natën.

Në jetimore gjeti prindërit e munguar. Nuk ka asnjë ankesë për nënat kujdestare. Madje ka mirënjohje. Malli i pashuar për nënën  e çonte në arrati një vend ku mund të qante me ngashërim. Kështu lindnin e perëndonin ditët e Denisit në jetimore ashtu si dhe të jetimëve të tjerë të këtij institucioni.

 

Por sfida më e madhe e Denisit e të ngjashmëve të tij është jeta përtej dyerve të institucioneve të kujdesit social. Dy vite më parë Denisi mbushi moshën madhore dhe nuk mund të vazhdonte të qëndronte në jetimore.

Kështu ai rrugën e mundimshme të jetës. Pa strehë, pa mbështetje, pa asnjë hartë të rrugëve që do të përshkonte i vetëm në këtë botë. Institucionet shtetërore nuk u kujdesën për strehë a një vEnd pune.

Megjithëse në kushte të vështira për shkak të varfërisë, gjyshja e Denisit dhe daja i tij, u bënë strehë e përkohshme për të. Por shpejt ai do të duhet të gjej një zgjidhje për strehim pasi banesa e dajës së tij është e pamjaftueshme.

Ai punon në punë të rënda, ngarkim shkarkim. Punon ditë e natë sepse duhet të bëjë jo më pak se dy punë me qëllim që të sigurojë jetesën. Duart e Denisit tregojnë shumë për mundimet e  tij.

Të rinjtë që dalin prej institucioneve të kujdesit social, do të duhej të ishin në krye të prioriteteve të bashkive për t’i punësuar e për t’iu garantuar strehim. Denisi ka kërkuar mbështetje në bashkinë e Durrësit për strehë e punësim por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ai mban një dosje me dokumente në dorë me të cilën nuk ka lënë institucion pa shkelur por nuk ka gjetur asnjëherë mbështetje. Ligjërisht ka të drejtë të marrë një pjesë të banesës së babait tij, i cili e ka braktisur qysh në moshë të mitur dhe tani nuk do ti japë as çfarë i takon me ligj.

Denisi sapo ka nisur kalvarin e një jetë të pasigurt. Ai nuk ka shumë shpresë se institucionet shtetërore do të bëjnë punën e tyre në zbatim të ligjit për ti dhënë çfarë i takon.

Për të kuptuar se cila është e ardhmja e një fëmijë të jetim, kur del nga institucionet e kujdesit social, do të shkojmë në Shkodër tek historia dramatike e Spartak Sofisë. Ai është sot në moshën 36-vjeçare dhe jeton ende në një konvikt.

Në moshën 3-vjeçare, nëna e tij ndërroi jetë dhe babai nuk u interesua kurrë për Spartakun dhe vëllain e tij. Nëna u nda nga jeta kur Spartaku ishte ende shumë i vogël dhe mban mënd shumë pak. Me kalimin e viteve sa vinte e zbeheshin konturet e portretit të nënës teksa malli për zërin e saj veçse shtohej. Duket se është njësoj edhe sot.

Në moshën 14-vjeçare, Spartaku u prezantua me portretin e nënës përmes fotografisë në pllakën e varrit të saj.

Veç vuajtjeve e mundimeve të tij, Spartaku ka një brengë të madhe për vëllain e sëmurë. Ende i mitur, Spartaku do të duhej të gjente vetë zgjidhje për tu ushqyer. Asnjë mbështetje, asnjë orientim nga institucionet shtetërore veçse një dhomë në kushte mizerabël ku mund të flinte.

Është përballur me shumë sfida por ia kishte dalë pasi vazhdimisht gjente punë sa për të jetuar. Por prej një viti e gjysëm ai ka humbur punën që mbante prej 9 vitesh. Spartaku punonte si mirëmbajtjës i selisë së PS-së në Shkodër por e larguan prej andej pa sqarime. Prej asaj kohe, punon nëpër kafenetë dhe resrorantete  Shkodrës, ku bamirës të ndryshëm e paguajnë për të larë xhamat.

Ashtu si dhe të tjerë jetimë të mbetur në gjendje të vështirë ekonomike, Spartak Sofia dhe vëllai i tij binjak kërkojnë minimumin jetik, një strehë dhe një vend pune për t’u ushqyer. Ka jetimë që ia kanë dalë të kenë një të ardhme më të mirë. E tillë është historia e Sokol Muratit. Ai ia doli të shkollohet dhe të fitojë një zanat për të garantuar jetesën. Sokoli ka ndërtuar familjen e tij dhe flet me optimizëm për të ardhmen

Diamanta Shekaj është në moshën 63-vjeçare. Është rritur në jetimore por jeta i ka dhënë mundësinë të krijojë familje dhe të rikuperojë vuajtjet e fëmijërisë. E megjithatë ajo sot është kthyer në institucionet e kujdesit social. Ajo është shumë mirënjohje për stafin e institucionit social në Shkodër.

Ina Melhani është një tjetër histori që na tregon rrugën e mundimshme të një jetimi për të siguruar jetesën. Ajo nuk e ka ditur kurrë cila nënë e lindi sepse e braktisi sapo erdhi në këtë botë. Ina u rrit nëpër institucionet e kujdesit social dhe ruan kujtime të mira.

Ka ndjerë përbuzjen nga shoqëria në vazhdimësi e megjithatë ajo nuk I ndali përpjekjet për dije e shkollim por duke qenë pa përkrahje përfundoi si punëtore ndërtimi. Do të vinte një kohë e mirë për Inën kur falë përkushtimit dhe përpjekjeve për një jetë më të mirë, Ina shkëlqeu si punëtore e dalluar dhe do të gjente një vend pune dinjitoz.

Vitet kaluan dhe Ina do të kishte fatin të ndërtonte familjen e saj. Është ndër rastet me histori të bukur jete pasi ka një bashkëshort të përkushtuar dhe janë të lumtur me vajzën e tyre. Por Ina nuk i harron jetimët. Ajo është në përpjekje të përditshme për të hapur dyer jete për aq sa mundet.

Edhe Sokoli është gjithashtu i përkushtuar të ndihmojë jetimët. I ka qëndruar pranë në vështirësi Spartakut dhe të vëllait ashtu si dhe shumë jetimëve të tjerë në Shkodër.

Solidariteti ndërmjet tyre apo edhe bamirësia e ndonjë organizate a individi, nuk mund të jetë zgjidhje për të ardhmen e fëmijëve jetimë. Janë institucionet ato që do të duhet të mbështesin seriozisht këtë kategori të brishtë të shoqërisë shqiptare.

Janë me mijëra jetët e vështira të jetimëve në Shqipëri që nuk e gjetën kurrë mbështetjen nga institucionet shtetërore, kur iu duhej të përballeshin me jetën. Në vitin 1996 u hartua edhe miratua ligji 8153 “Për Statusin e Jetimit” për të sanksionuar institucionet publike për integrimin edhe mbrojtjen e fëmijëve jetimë.

Një ligj që për hir të së vërtetës ka njohur vetëm një ndryshim që prej miratimit të tij, atë në datë 13.05.2004. Kur u shtua një pikë në nenin 18, me këtë përmbajtje: “Data 20 maj shpallet Dita Kombëtare ne Ndihme te Jetimeve”.

Ligji “Për statusin e jetimit” që në nisje të tij ka një sërë problematikash, pasi i jep statusin e jetimit vetëm atyre të cilët nuk kanë asnjë prind dhe lë jashtë këtij statusi të gjithë ata të cilët kanë një nga prindërit në jetë.

Kur një I ri pa kujdesin prindëror del nga institucionet e kujdesit social, është i ekspozuar përballë botës së krimit. Organizatat ndërkombëtare janë angazhuar shpesh në hartime raportesh për situatën e vështirë të jetimëve në Shqipëri. Shoqata e jetimëve të Shkodrës ishte kontribuese për hartimin e njërit prej këtyre raporteve.

20 Maji është Dita Kombëtare në Ndihme të Jetimëve të Shqipërisë e cila u iniciua nga Fondacioni “Instituti i Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë” dhe Akademisë së Shkencave. Është dita kur e gjitha shoqëria do të duhet të ishte një zë për më shumë të drejta, vëmendje, mbështetje dhe integrim real të fëmijëve jetimë.

Si çdo vit, edhe këtë 20 maj, jetimët u mblodhën për të festuar.  Pati festë dhe fjalime por edhe premtime. Jetimët e Shqipërisë kanë shumë nevoja dhe vazhdojnë të bëjën apel për ndihmë. Janë shumë mirënjohës për të gjithë ata që iu zgjasin dorën dhe përpiqen të kontribuojnë për ta.

Ata e konsiderojnë ministren si një ndër faktorët më mbështetës për të siguruar të drejtat e tyre dhe presin më shumë mbështetje në vazhdimësi. Manastirliu premtoi përshpejtim të procesit të politikave në ndihmë të fëmijëve pa kujdesin prindëror.

Por 20 maji është vetëm një ditë. Të tjera ditë do vijnë e shkojnë dhe jetimët do të vazhdojnë të jenë jetim. Për ta ka më pak ushqim, më pak arsim, më pak dashuri. Ata kanë nënë e babë, motër e vëlla, institucionet shtetërore të ngarkuara për tu kujdesur për ta. Këta zyrtarë që vendosin për jetimët do të duhej që të shohin në detyrën e tyre, përgjegjësinë e një prindi.

Ky mesazh i drejtohet pikërisht këtyre zyrtarëve që kanë në dorë të ardhmen e fëmijëve pa kujdesin prindëror. Le të imagjinojnë për një çast ta lënë vetëm fëmijën e tyre dhe me siguri do të shohin vemtinë, lotët e një fëmijë për nënën. Do të shohin vuajtjet, ngashërimën e shpirtit të një fëmijë pa kujdes prindëror, ashtu është fati i një jetimi, i vetmuar, i uritur, pa ngrohtësi e pa dashuri.

Para se të mendojnë të vendosin politika e të marrin vendime në emër të tyre, këta zyrtarë duhet të kenë para sysh filmin imagjinar të fëmijës së tyre jetim. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!