DHËRMI- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte këtë të premte në Dhërmi, aty ku ndau mbi 700 tituj pronësie për shtëpitë e trashëguara. Ai shtoi se në zonat bregdetare ka pasur investime dhe kjo ka nxitur shtimin e turizmit.
Më tej, Rama shtoi se shtëpitë e vjetra, të cilët posedohen nga banorët, do të shërbejnë si bujtina dhe ky aktivitet do të sjellë rritje të turistëve dhe për pasojë më shumë të ardhura për banorët.
“Është rritur numri I turistëve, ashtu sikundër pak kush mund ta imagjinonte. Dhjetë milionë turistë u arrit vjet, sivjet mund të shkoj 12, 13 milionë, kjo nuk ndodh rastësisht, por kjo ndodh sepse turistët që vijnë në këtë zonë gjejnë arsye për të ardhur. Do të rritet vlera e pronës. Edhe numri i turistëve që do vijnë, por edhe të ardhurat e familjeve këtu, dhe për këtë arsye, shtëpitë e vjetra janë baza, sepse shtëpitë e vjetra, ata që janë ndërtuar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë janë aseste. Janë bujtina, të cilat do të janë gjithmonë e më të kërkuara. Këto shtëpitë që në shpërndajmë janë bazë për të ndërtuar një ekonomi plus”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Himara nuk mund të jetë peng i askujt, aq më pak i atyre që tentojnë ta përdorin atë për qëllime përçarëse.
Ai shtoi se qeveria shqiptare nuk i ndan qytetarët në “ca të nënës dhe ca të njerkës”, por i trajton ata, si të barabartë nga veriu në jug.
“Himara është e himariotëve. Himara, njësoj si Tropoja, Saranda, Gjirokastra, si Vlora, si Durrësi, janë shqiptarë. Të gjithë atë që jetojnë në Shqipëri janë qytetarë të Shqipërisë, janë të gjithë të barabartë dhe nuk ekziston në imagjinatën time ndarja ‘në ca të nënës dhe ca të njerkës’. Himara nuk mund të jetë peng i askujt. Himara nuk është për t’u çuar andej, e për ta çuar këtej. Himara është për të qenë këtu. Nuk mund të bëhet Himara shesh për përshesh, aq më tepër me këto broçkulla, jo po u marrim pronat. Çfarë po mohohet këtu? Asgjë nuk po mohohet, por po punohet që të bëhet më e bukur, më mikpritëse dhe më e pasur”, tha ai./ abcnews.al