Himara, me dy kryetarë në burg/ Gjikondi shpjegon anën juridike: Ja çfarë ndodh tani

schedule17:31 - 25 Mars, 2024

schedule 17:31 - 25 Mars, 2024

HIMARË– Juristja Brizida Gjikondi ka komentuar zhvillimet e fundit në Himarë, ku të shtunën me urdhër të SPAK u vu në pranga kryetari në detyrë i saj, Jorgo Goro. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe sipas SPAK është përfshirë në dy raste të tjetërsimi të pronave.

Por si do të zgjidhet boshllëku i krijuar në Bashkinë Himarë?

Gjikondi tha se për tre muajt e ardhshëm kompetencat e kryetarit të bashkisë mund t’i ushtrojë zëvendësi i tij dhe nëse përtej këtij afati Goro nuk kthehet në detyrë, atëherë këshilli i bashkisë i dërgon një letër me anë të perfektit qeverisë shqiptare.

Kjo e fundit, sipas ligjit, është e detyruar që së bashku me KQZ-në të hapin procedurat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ai zëvendësohet me ligj nga nënkryetari i bashkisë, në rast se për tre muaj mungon dhe Goro nuk del nga burgu, këshilli i bashkisë i dërgon një letër me anë të prefektit qeverisë shqiptare dhe mund të bëjë të mundur me anë të KQZ, të hapen procedurat për zgjedhjet e reja”, tha ajo.

Më tej, Gjikondi shtoi se me arrestimin e Jorgo Goros bie alibia e ngritur nga Greqia, e cila pretendon se Fredi Beleri po mbahet në burg me ndikim politik.

“Patjetër që bie alibia e Greqisë. Arrestimi i Goros tregoi se nuk ka gisht politik dhe nuk ka ndikim politik. Zgjedhja e prefektit të Vlorës, që është z. Vangjel Tavo, që vjen nga minoritetI, unë mendoj se ka qenë një flamur i bardhë që Rama u ka ngritur në kuptimin figurativ”, tha ajo.

Juristja u shpreh se SPAK është kthyer në instrument frike, për të gjithë ata zyrtarë, që abuzojnë me detyrën publike.

“E vetmja shpresë për të futur frikën e pushtetarëve në Shqipëri, si majtas dhe djathtas ka mbetur vetëm SPAK dhe unë e kam parë si jo politike dhe që ka të bëjë me korrupsionin dhe jo me levat e politikës”, shtoi ajo./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!