Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, nga Bujanoc ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit ka të bëjë me Kosovën, e jo me çështjet e pakicave në Serbi.
“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhen ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesët tjera të vendit”, ka thënë Hill.
Kështu, ambasadori amerikan ka theksuar se çështja e shqiptarëve në Serbi është ekskluzivisht çështje e shtetit të Serbisë dhe përsëriti se “nuk ka të bëjë fare me dialogun e Brukselit”.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, “pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori amerikan./abcnews.al