Hidhet shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë

schedule13:07 - 16 Prill, 2019

schedule 13:07 - 16 Prill, 2019

Një klasike e futbollit shqiptar do të luhet në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Janë përcaktuar çiftet pas tërheqjes së goglave në selinë e Federatës.

Ishte shorti i fundit për këtë sezon. Kupa e Shqipërisë njohu çiftet gjysmëfinaliste dhe njëri prej tyre mund të quhet klasiku i këtyre viteve në futbollin shqiptar.

Pikërisht Kukësi-Skënderbeu, sfida e dy skuadrave që kanë pretenduar më shumë trofetë të paktën prej 5 vitesh. Ndeshja e parë, me shumë gjasa do të jetë në “Elbasan Arena”, dhe besohet se Skënderbeu mund të quhet i favorizuar nga ky short, por kuksianët nuk janë dakord.

“Besoj që çdo ekip që është në këtë fazë është me ambiciet e veta. Ndeshjen e parë do ta luajmë në fushën tonë dhe pretendojmë për të paktën një titull këtë sezon. Shpresojmë të bëjmë maksimumin dhe të fitojmë”, tha Nexhipi, drejtor teknik i Kukësit.

Skënderbeu, gjithashtu është tepër optimist.

“Ndeshje e fortë, e bukur. Do të ketë emocione për këtë pjesë, kjo është e sigurt. Ajo që është akoma më e sigurt është se Skënderbeu është koma në vendin e parë në Kupë, dhe kupa po këtë vit do jetë në Korçë”, tha Lulja, drejtues i Skënderbeut.

Çifti tjetër është Luftëtari-Tirana, një përballje që historikisht do të kishte pasur kryeqytetasit favoritë absolutë për finalen. Këtë herë mund të quhet ndryshe, dhe kështu besojnë edhe gjirokastritët.

“Më pëlqeu shorti që ra me Tiranën sepse me këto ekipit të kryeqytetit sikur ua kemi marrë dorën. Ëstë interesante sepse jemi të dyja ekipet për mbijetesë. Do jetë një gjysmëfinale e bukur. Të dyja kemi shpresë”, tha Artur Dadaj, drejtues i Luftëtarit.

Tirana dëshironte të shmangte Kukësin, dhe kjo dëshirë iu plotësua.

“Personalisht më pëlqeu duke qenë se me Luftëtarin do kemi të bëjmë dhe në kampionat, do ishte mirë të bënim edhe në kupë, kështu që besoj ishte një short i mirë. Objektiv është Europa, objektiv është Kupa, por duhet të shkëputemi nga zona e ftohtë”, tha Laçi, drejtor sportiv i Tiranës.

Ndeshjet do të luhen në 24 Prill e 8 Maj, dhe finalja në 2 Qershor, me stadiumin që mbetet për t’u përcaktuar./abcnews.al