Grupi militant libanez Hezbollah ka marrë përgjegjësinë për një sulm ndërkufitar me dron dhe raketa në veri të Izraelit që ka lënë të plagosur 14 ushtarë, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë.
Siç raportohet, ky ishte një nga sulmet më të mëdha në muajt e fundit nga Hezbollahu, si përfaqësuesi më i fuqishëm rajonal i Iranit. Bëhet e ditur se sulmi vjen pas vrasjes së dy komandantëve të grupit militant nga Izraeli, ndërsa frika për një konflikt më të gjerë vazhdon e rritet.
Additional footage shows the Hezbollah explosive-laden drone striking the community center in Arab al-Aramshe, wounding seven people. pic.twitter.com/DEE13pxE26
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) April 17, 2024
Sipas informacioneve nga ushtria izraelite, Hezbollahu ka sulmuar me dy raketa antitank në fshatin kufitar beduin izraelit, Arab al-Aramshe, përpara se të sulmonte edhe me dron.
Izraelitët janë shprehur të shqetësuar për aftësinë e dukshme të Hezbollahut për të përcaktuar vendndodhjen e ushtarëve dhe shënjestrimin e tyre, shkruan The New York Times.
Por, e menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e Izraelit i cili ka sulmuar thellë brenda Libanit në luginën Bekaa, bastionin e Hezbollahut në kufirin sirian.
Ndryshe, për më shumë se gjashtë muaj, Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë të bllokuar në një konflikt të tensionuar ndërkufitar të nisur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.
Përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftimeve në Lindjen e Mesme po vazhdojnë.
Megjithatë, Hezbollahu e ka bërë të qartë vazhdimisht se nuk do të marrë pjesë në asnjë bisedë diplomatike derisa Izraeli të përfundojë luftën në Gazë.