Hetimi ndaj Shullazit, Ylvi Beqja jep deklarime në Prokurori

schedule17:20 - 6 Dhjetor, 2018

schedule 17:20 - 6 Dhjetor, 2018

Për 40 minuta me radhë, biznesmeni Ylvi Beqja, dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë për dosjen “Shullazi” dha shpjegime në Prokurorinë e Tiranës. Ai u pyet për llogari të një hetimi të nisur ndaj Emiliano Shullazit në këtë prokurori për akuzën e “pastrimit të parave”.

Një hetim i nisur për Emiliano Shullazin nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “pastrimit të parave” solli të enjten në këtë godinë biznesmenin Ylvi Beqja.
Ai mbërriti në institucion përmes një automjeti të blinduar të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Statusin e dëshmitarit të mbrojtur Beqja e përfitoi për dëshminë e dhënë kundër Shullazit, prova kryesore e prokurorisë në procesin ndaj tij dhe grupit tek Krimet e Rënda.

Këtë herë Beqja dha shpjegime para prokurores Elisabeta Imeraj, në lidhje me dyshimet e ngritura për paligjshmëri të konsumuar gjatë regjistrimit të pronësisë së ish-hotel Vollgës në Durrës, një pjesë e të cilit i është kaluar Emiliano Shullazit apo për transaksione financiare të kryera për këtë qëllim. Aktualisht kjo pronë është nën masën e sekuestros preventive. Por përveç dijenisë për veprimet të Shullazit, dëshmitari i mbrojtur Beqja ka dhënë deklarime edhe si person nën hetim, pasi emri i tij është pjesë e të njëjtit hetim për “pastrim parash” të nisur nga Akuza e kryeqytetit.

Burimet e Prokurorisë u treguan të rezervuara për përmbajen e deklarimeve biznesmenit. Marrja e tij në pyetje zgjati rreth 40 minuta. Për të shmangur përballjen me kamerat, ai zgjodhi të largohej nga një derë e ndryshme nga ajo që u fut në godinë. Biznesmeni Ylvi Beqja është një nga kallëzuesit për “gjobëvënie” të Emiliano Shullazit dhe të bashkëpandehurve të tij dhe dëshmia e tij ishte vendimtare në procesin tek Krimet e Rënda që përfundoi me deklarimin e fajshëm të të pandehure dhe një total prej 55 vitesh burg për ta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!