Hetimi i Metës, Kuvendi i drejton 8 pyetje Venecias

schedule16:52 - 24 Korrik, 2019

schedule 16:52 - 24 Korrik, 2019

Kuvendi i Shqipërisë i ka nisur  8 pyetje Komisionit të Venecias, mbi sjelljen e Ilir Metës me 30 qershorin. Në asnjë prej pyetjeve, nuk kërkohet mendim nëse presidenti duhet shkarkuar, por kërkohet ekspertizë nëse Presidenti në një Republikë Parlamentare, ka apo jo të drejtë të anulojë zgjedhjet.

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një letër të gjatë Komisionit të Venecias, ku i bën 8 pyetje mbi sjelljen e Ilir Metës në raport me 30 qershorin.

Letra e firmosur nga Ruci për llogari të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, në pyetjet drejtuar Venecias, nuk kërkon drejtpërdrejt në asnjë rast mendim, nëse Presidenti duhet shkarkuar apo jo.

Pas parashtrimit të të gjithë situatës zgjedhore në Shqipëri, nga djegia e mandateve të opozitës tek bojkoti i zgjedhjeve, Venecia pyetet nëse Presidenti ka ose jo të drejtë të anulojë datën e zgjedhjeve.

Kompetenca e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë e tij për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit, apo një detyrimin i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor?”,-thuhet në një prej pyetjeve.

Me tej kërkohet ekspertizë “Nëse Presidenti i Republikës, pasi e ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të sigurisë kushtetuese dhe të drejtës për të zgjedhur?”

Një pyetje tjetër, është nëse “Nxjerrja e Dekretit të Presidentit që anulon datën 30 qershor 2019 si datë e mbajtjes së zgjedhjeve vendore, dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarëve të bashkive, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?”

Letra i është dërguar Venecias përmes Ministrisë së Jashtme dhe komisioni do të marrë kohën e tij për të dhënë një përgjigje.

Mbledhja e rregullt e Asamblesë është në tetor, por nuk përjashtohen mbledhjet jashtë radhe. Vetë Komisionit Hetimor për Metën, mandati i punës i skadon në 8 tetor.

Vetë Ruçi në mbyllje të letrës, i kërkon kreut të Komisionit, një përgjigje sa më të shpejtë, referuar ndjeshmërisë së lartë publike për këtë çështje në Shqipëri./ABC News Albania 24/7

(Kliko këtu)

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!