Shkaqet e aksidentit që tronditi Malishevën, ku humbi jetën babai dhe dy fëmijët e mitur ende nuk janë zbardhur. Prokurorja, Ardita Beqiri- Hyseni, që po heton rastin tragjik deklaroi se ende po punohet për të kuptuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
“Me urdhër të prokurorit trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’u bërë autopsia. Shkaqet akoma nuk dihen. Në vend ngjarje shihet është tym, ka pasur zjarrvënie, por si dhe çka ju njoftojmë pas raportit nga ekspertët përkatës.” tha ajo.
Ndërsa komandanti i policisë në Malishevë, Nazmi Zogaj deklaroi se nuk kishte marrë asnjë informacion për shpërthim të ndonjë bombole gazi, që u konsiderua në fillim të ngjarjes një nga shkaqet kryesore.
“Kjo është informata që kemi për momentin, banesa ka qenë shumë e tymosur, Arsyeja e zjarrit, janë duke u bërë hetimet ende. Deri më tani nuk kemi informatë për bombolë gazi, sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët ndonjë eksplodim.” tha Zogaj.
Florentina Bytyçi, familjare e tre viktimave ka treguar momentin tragjik se si i kishte gjetur fëmijët me babain e tyre të vdekur.
“Ishin në dorë të kunatës, unë u mundova me u prekë me pa se a kanë puls por nuk pashë se kanë shenja jete. I mora fëmijët dhe i dërgova në ambulantë. Nuk munda as me i puth e përqafë për herë të fundit. Shumë më janë dhimbsur, I kisha si femijet e mi, e kam pasur djalë të dajës babain e tyre. Dy fëmijët kanë qenë të kallur.” tha ajo.
Ilir Berisha 35 vjeç dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile 9 vjeçare dhe djali Kujtim 12 vjeç humbur jetën mesditën e së enjtës në Malishevë. Banesa e tyre është u përfshi nga flakët, ndërsa të tre ndodheshin në shtëpi ku dyshohet se kanë humbur jetën nga asfiksia. Apartamenti ku ata jetonin ishte banesë sociale e dhënë nga komuna.


