Hetim deri më 19 Korrik për “Habilajt”

schedule15:07 - 15 Qershor, 2018

schedule 15:07 - 15 Qershor, 2018

Hetimi i dosjes ndaj Moisi Habilajt dhe grupit tek Krimet e Rënda do të vijojë të paktën deri në 19 Korrik. ABC News ka siguruar vendimin e fundit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatjen e hetimit, ku zbulohen edhe rolet e ish-zytarëve të lartë të Policisë së Vlorës në trafikun e drogës.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka shtrirë deri në 19 Korrik afatin fundor të hetimit të nisur ndaj Moisi Habilajt, Nezar Seitit dhe anëtarëve të tjerë të grupit, të akuzuar për trafikun e tonelatave të kanabisit drejt Italisë. Vendimi i fundit i gjashtë prokurorëve të dosjes për zgjatje afati është marrë për shkak të nevojës kohore për administrim dhe përkthim të letërporosive të ardhura nga Italia, Greqia e Mali i Zi dhe analizimi i përgjimeve telefonike, apo veprimeve të tjera të dala nga dinamika e hetimit.

Sipas Krimeve të Rënda, Moisi Habilaj ka bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit në formën e grupit të strukturuar kriminal për kultivimin dhe trafikun e drogës. ABC News ka siguruar një kopje të vendimit të prokurorisë mbi shtyrjen e afatit, ku zbardhen edhe rolet përkatëse të tre ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës.

Sipas prokurorisë, Sokol Bode, ish-shefi i stacionit të Policisë Dhërmi ka mbajtur lidhje duke ju ofruar ndihmë dhe mbështetje anëtarëve të këtij grupimi kriminal me qëllim realizimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.

Gjergji Kohila, ish-shef i hetimit të narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Vlorës ka mbështetur dhe bashkëpunuar me anëtarët e grupit kriminal në kultivimin e narkotikëve dhe më pas trafikimin e saj.

Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Vlorës, sipas prokurorisë, në bashkëpunim me vartësit Kohila e Bode dhe punonjës të tjerë të policisë ka mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për kultivimin e drogës dhe më pas trafikimin jashtë vendit.

Aktualisht ish-zyrtarët Bode, Kohila dhe Çela janë në arrati. Ata janë shpallur në kërkim bazuar në një masë “arrest në burg” caktuar në mungesë nga Krimet e Rënda. Grupi i Habilajve dyshohet të ketë trafikuar 3.5 tonë kanabis drejt Italisë në harkun 2013-2017, ndërsa kishte edhe 4 tonë të magazinuar në Shqipëri./abcnews.al