Ora “covidiane” vë në gjumë Bllokun

schedule23:11 - 11 Nëntor, 2020

schedule 23:11 - 11 Nëntor, 2020

Heshtje totale. Mbrëmjen e sotme pas orës 22:00 zona e Bllokut në Tiranë e njohur për jetën aktive të natës ishte në “gjumë”. “Gumëzhitja” deri në mëngjes i ka lënë vendin qetësisë absolute, si në pranverë, kur gjithçka u mbyll.

Asnjë lëvizje, restorantet, lokalet dhe club-et e natës janë të gjitha mbyllur. Ishte pikërisht zona e Bllokut një nga arsyet që detyroi komitetin e Ekspertëve që të vendoste mbylljen e bareve dhe restoranteve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

SI DHE KUSH MUNDET TË MARRË LEJE PËR DALJE NË FASHËN ORARE TË KUFIZIMIT TË LËVIZJES – HAPAT

Leje për dalje
Në zbatim të Urdhrit nr. 616, datë 9.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për kufizimin e lëvizjes brenda vendit” qytetarët mund të aplikojnë online për t’u pajisur me “Leje për dalje” për arsye pune dhe arsye të domosdoshme (si farmaci, asistencë ndaj një të moshuari, etj.) për fashën orare 22:00 – 06:00 me mjet qarkullimi rrugor ose në këmbë.

Leja për punë vlen vetëm për fashën orare 22:00 – 06:00 dhe mund të përzgjidhet nëse do të përshkohet rruga me ose pa mjet qarkullimi rrugor. Për qytetarët të cilët punojnë me turne lejohet vendosja e orareve specifike të vajtjes dhe kthimit nga puna për secilën nga ditët e javës.

– “Leje për arsye të domosdoshme” vlen për cdo ditë të javës brenda fashës orare 22:00 – 06:00 vetëm për qytetarët, të cilët duhet të dalin në këto orare për nevoja specifike.

Kujdes!
Në mungesë të email-it ose mesazhit konfirmues për leje dalje për punë/arsye të domosdoshme nga e-Albania, do të aplikohen masat sipas legjislacionit në fuqi.

Dokumentacioni i nevojshëm:
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Hapat e procedurës:
– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Leje për dalje”;
– Klikoni butonin “Përdor”;
– Përzgjidhni llojin e lejes që ju nevojitet;
Në rast se ju nevojitet leje për punë:
– Përzgjidhni opsionin “Leje për punë”;
– Përzgjidhni mënyrën e qarkullimit “Me mjet” ose “Pa mjet”
– Në rast se do të përzgjidhni opsionin “Qarkullim me mjet”, nëse mjeti është në pronësinë tuaj, do t’ju shfaqet automatikisht ne listë për përzgjedhje;
– Nëse mjeti nuk është në pronësinë tuaj, plotësoni të dhënat duke vendosur targën dhe numrin e shasisë së tij me të cilin do të kryeni lëvizjen;
– Përcaktoni fashën orare për lëvizjen tuaj duke përzgjedhur një nga opsionet “Fashë fikse” ose “Punë me turne/orar specifik”;
– Për të gjithë qytetarët që punojnë me turne, mund të vijohet me përzgjedhjen e opsionit “Punë me turne/orar specifik” ku vendoset ora e saktë e vajtjes dhe kthimit nga puna për secilën nga ditët e javës;
– Klikoni butonin “Dërgo” për finalizimin e aplikimit tuaj;

– Autorizimi do të miratohet vetëm për punonjësit e bizneseve, që lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas akteve normative

– Miratimi do të dërgohet në moment adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania dhe është i vlefshëm gjatë gjithë javës;

– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.

Në rast se ju nevojitet leje për arsye të domosdoshme:
– Përzgjidhni opsionin “Leje për arsye të domosdoshme”;
– Shkruani saktë datën dhe arsyen e lëvizjes;
– Nëse lëvizja për arsye të domosdoshme do të bëhet me mjet, lutemi shtoni në aplikimin tuaj të dhënat e tij: Targën dhe numrin e shasisë ;
– Miratimi do të dërgohet në moment adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.

KUJDES!
Policia do të verifikojë në kohë reale nëse një qytetar ka leje të miratuar ose jo. Kush nuk respekton orarin dhe email-in nga e-Albania do të sanksionohet nga punonjësit e Policisë sipas masave të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit:
Menjëherë

Kostot: Pa pagesë

Më shumë
Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit mund të kontaktoni në adresën [email protected]./ db/Abcnews.al

/ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!