Heroi të qendra tregtare, Goxhaj: Arritëm për 6’, parkingu u kthye në magazinë, skema si u futëm

schedule21:17 - 29 Mars, 2021

schedule 21:17 - 29 Mars, 2021

Drejtori i Zjarrfikëses Shkëlqim Goxhaj, foli në “Radari Informativ” në “ABC” për zjarrin që i mori jetën 32-vjeçarit Arjan Sala në një magazinë.

Gjatë bisedës në studio Goxhaj sqaroi dinamikën e ngjarjes nëpërmjet një skice të ndërtuar për të analizuar të gjithë operacionin.

“Për të gjithë ngjarjen do të ketë një ekspertizë të thelluar në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit. Po diskutohet që zjarr ka pasur që në orën 15:00, pra një orë e 30 min më përpara se të lajmërohej shërbimi zjarrfikës”, u shpreh ai.

Goxhaj theksoi se në momentin që ka ardhur thirrja për ndihmë, salla operative ka lajmëruar stacionin zjarrfikës të Melezit, duke sqaruar se ka mbërritur për 6 minuta në vendin e ngjarjes.

Ndërsa shpjegon skicën e magazinës, Goxhaj tha se nga grupi i parë që ka shkuar në vendngjarje, dy luftuesit janë futur në magazinë dhe kanë njoftuar se duhet të vinin edhe automjete të tjerë sepse ngjarja është e madhe dhe njëkohësisht kanë vazhduar operacionin për shpëtimin, pa tuba uji.

“Shërbimi zjarrfikëses së Tiranës e ka përballuar këtë situatë zjarri për më shumë se 40 orë pa ndërprerje, deri sa është bërë fikja e zjarrit me aparatura me ajër”, tha Goxhaj.

Gjatë bisedës me gazetaren Jonida Shehu, Goxhaj tha se ndërhyrja e viktimës Arjan Sala për të shpëtuar punonjësit dhe për të bërë fikjen e zjarrit ishte veprim heroi, por theksoi se puna e shërbimit zjarrfikës nuk ka ndaluar për 40 orë, duke hedhur poshtë pretendimet se nuk është bërë ndërhyrja e duhur.

“Unë aty kam thirrur të gjithë shërbimin zjarrfikës të Tiranës që të shkëmbenin njeri-tjetrin. Ne kishim presion e të gjithëve kishim presionin e familjarëve dhe ato me të drejtën e tyre sepse kishin të afërmin e tyre brenda. Ne kemi qenë me veshjet kundër zjarrit, me helmetat maskat dhe nuk llogaritet furnizimi me ujë.

Në ato ambiente njeriu mund të durojë maksimumi  90 sekonda ose 120 sekonda. Me eksperiencën që kam nuk mund të flas dot përpara se të dalë ekspertiza përfundimtare. Temperaturat e larta dhe zjarri që zgjati goxha ka zhdukur shumë shenja dhe kjo do të kërkojë shumë kohë për të dhënë përgjigjen e saktë”, tha ai.

Pjesë nga biseda:

Pyetje: I kishte magazina kushtet e sigurisë për evakuim?

Goxhaj: Kjo magazinë nëse do të ishte parking ashtu siç ka edhe lejen e shfrytëzimin, masat e mbrojtjes nga zjarri i kishte shumë të mira. Ka pasur momente që hidrantet e kësaj godine kanë furnizuar automjetet tona ashtu siç ne ua kërkojmë bizneseve. Pra hidrantet e kësaj godine kanë furnizuar automjetet tona. Gjithashtu ka pasur fikse zjarri nga ato që u gjetën në vendin e ngjarjes pothuajse në  çdo kolonë dhe në hyrje. I ka pasur masat për mbrojtjen nga zjarri.

Pyetje: I ka pasur masat mbrojtëse për parkim, por në momentin që transferohet nga parking në magazinë çfarë duhet të kishte më shumë?

Goxhaj: Ato do t’i shikojmë, daljet janë të sakta sepse edhe magazina të tilla përballohen edhe nga hidratet.

Pyetje: Skena e kushteve të evakuimit ka qenë e saktë?

Goxhaj: Fillimisht mendohet se është futur diku nga shkallët, bashkë me dy çunat e tjerë për të luftuar zjarrin pasi kanë nxjerrë të gjithë punonjësit jashtë objektit.

Goxhaj shpjegon nëpërmjet skicës vendin ku është gjetur viktima Arjan Sala dhe se si mendohet se është vepruar për të shuar zjarrin.

“Mendojmë që në momentin që janë futur të tre punonjësit, dy janë kthyer pas sepse temperatura ka qenë e lartë dhe vala e tyre ka qenë asfiksuese, ndërsa Arjani me guximin e tij ka menduar se do ta realizojë fikjen e zjarrit”, tregon me tej Goxhaj.

Pyetje: Ka pasur mundësi të ketë një dalje të afërt nga pozicioni ku ka qenë?

Goxhaj: Duke qenë se Arjani ka qenë për shumë kohë punonjës i këtij objekti, kam mendimin që ai e ka pasur idenë se ku mund të dilte dhe ka tentuar të dalë tek ajo derë e cila ka qenë e mbyllur. Theksoj se ai nuk ka arritur tek dera, por gjithashtu dera nuk është e jashtme, është derë nëntokë, në sipërfaqe nuk do ta nxirrte dot. Mbase do ta nxirrte në një korridor për tu kthyer në fillim.

Pyetje: Nëse ajo derë do të kishte qenë e hapur do të kishte gjasa të shpëtonte?

Goxhaj: Jo nuk ka arritur tek dera. Ka qenë diku afër. Nga sasia e madhe e madhit që ka qenë aty u desh një kohë shumë e gjatë sepse aty avancohej vetëm me cm.

I pyetur gjithashtu për problemet me pagesat apo orët shtesë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës ai tha se për ta duhet të ketë rritje të pagës.

“Të gjithë punonjësit kërkojnë ngritje page. Në 2017 me anë të një VKM-je punonjësve të shërbimit zjarrfikës i është njohur vjetërsia në punë, pra ai punonjës që ka pasur 20 vjet në shërbimin zjarrfikës i është rritur paga me 20%”, përfundoi Goxhaj.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!