“Heroi” shqiptar tek Ajax, pritjet e Diant Ramaj i japin fitoren klubit holandez

schedule12:21 - 15 Janar, 2024

schedule 12:21 - 15 Janar, 2024

Është vetëm 22 vjeç, tepër pak për një portier.

Diant Ramaj është një shqiptar me origjinë nga Kosova, i lindur në Gjermani, dhe që luan portier për Ajax.

Gardiani i ri shkëlqeu fort në ndeshjen e fundit të kampionatit holandez që skuadra nga Amsterdami e fitoi në fushën e Go Ahead Eagels me shifrat 3-2.

Një paraqitje e madhe e 22-vjeçarit që bëri disa pritje shpëtuese, pa të cilat Ajaxi fare mirë mund ta kishte humbur ndeshjen. Natyrisht, kjo nuk ishte hera e parë që Ramaj luajti në këto nivele.

Pavarësisht sezonit aspak pozitiv të ekipit të shquar që ndodhet në vendin e pestë në kampionat, portieri i lindur në Shtutgart e ka bërë detyrën. Ramaj mban nënshtetësinë gjermane dhe të Kosovës.

Në karrierë ndërkombëtare, ai ka luajtur për ekipet e moshave të Gjermanisë U18, U19 dhe U20. Padyshim që portieri po pret që të thirret në ekipin e të rriturve të Gjermanisë, ku konkurrenca është tepër e ashpër.

Shqipëria dhe Kosova e duan për vete dhe Ramaj ka pohuar se ka pasur kontakte me të dyja federatat./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!