Henri Çili rendit arsyet: Pse tranzicioni ka qenë i suksesshëm

schedule21:04 - 20 Shtator, 2019

schedule 21:04 - 20 Shtator, 2019

Universiteti Europian i Tiranës do të nisë një projekt të ri ku do t’i japë hapësirë studimeve mbi tranzicionin. Henri Çili, i cili ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”, ku tha se tranzicioni në vendin tonë është mbyllur. Madje sipas tij ka qenë i suksesshëm. Ai renditi disa parametra për ta vërtetuar këtë.

“Ideja është që tranzicioni shqiptar është më i lavdishmi në periudhën e Shqipërisë, 30 vjetët e kësaj pjese të historie shqiptare. Mua prandaj më vjen keq që kryqëzohet elita politike. Elita politike i ka bërë një shërbim Shqipërisë dhe për mendimin tim meriton të amnistohet dhe jo të ndëshkohet. Pse? Po të marr katër parametra.  Në 25-30 vjet, GPD-ja, të ardhurat për frymë të shoqërisë shqiptare janë rritur midis 25 dhe 35 herë. Në vitin ’90, ne kishim midis 200 dhe 400 dollarë për frymë. Sot kemi midis 7 dhe 10. Ndryshimi jonë infrastrukturor është epokal. Për dy orë ti shkon në çdo cep të Shqipërisë.

Ne kemi mbjellë institucione, praktika të cilat vendet e tjera nuk i kemi pasur. Vendet e tjera sa i kanë rikthyer. Është e thjeshtë të flasim për evoluimin e Çekisë, por ajo ka pasur senat dhjetëra vjet.  Gjykata Kushtetuese, sistemi ynë i komunikimit, format e tjera nuk kanë ekzistuar. Ne kemi sisteme komunikimi dhe financiare që nuk i kemi pasur kurrë në histori, sistemi bankar, sistemi i sigurimeve etj.  Fitoret tona janë absolute. Do thoja që ka dy mënyra si të jemi të kënaqur dhe të pakënaqur. Krahasimi me lart dhe krahasimi me poshtë, por mbi të gjitha ka një krahasim që nuk mund ta shmangim, njëshin. Unë mendoj se çdo shqiptar sot është tmerrësisht më mirë se në vitin 1990”, tha Çili.

Por nga ana tjetër, Nano kishte një mendim ndryshe. Ai bëri me faj politikën shqiptare dhe tha se një pjesë e njerëzve e shohin vendin si të pabanueshëm.

“Unë e bëj me faj politikën. Sot një pjesë e madhe të shqiptarëve e shohin vendin si të pabanueshëm dhe ka një arsye. Unë përmenda zgjedhjet. Jemi i vetmi vend në Europë, dhe kjo na turpëron të gjithëve”, tha Nano. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!