Temperaturat e larta rrisin rrezikun për helmimin nga ushqimet. Në Tiranë janë dyfishuar personat me probleme në aparatin tretës, shume prej tyre kane pasur nevoje për trajtim ne spital.
Mjeket thonë se rritja e temperaturave krijon kushte për zhvillimin e mikroorganizmave që mund të transmetohen lehtësisht përmes ushqimeve të kontaminuara. Bluzat e bardhe apelojnë për ruajtjen e ushqimeve në temperatura nën 5 gradë Celsius.
Me rritjen e temperaturave në qendrat shëndetësore në Tiranë janë dyfishuar personat me probleme në aparatin tretës. Shpesh shkak sipas mjekëve është bërë ushqimi që kanë konsumuar. Disa prej tyre kanë pasur nevojë dhe për trajtim në spital.
“Gastrointeritet shoqërohen me temperaturë të lartë ose subfebrile shkaku mund të jetë bakterial. Shenjat e gastrointeriteve janë bark, të vjella, të shoqëruara me temperaturë. Kur nuk shoqërohen me temperaturë quhen të thjeshta dhe mjekimi është më tepër simptomatik. Ka pasur raste kur dehidrimi ka qenë i thellë dhe pacientët dërgohen tek infektivi për të bërë rehidrim venoz”, tha mjekja.
Me të nxehtin shtohet dhe rreziku i helmimit nga ushqimi.
Mjekët shpjegojnë se rritja e temperaturave krijon kushte për zhvillimin e mikroorganizmave si salmonella, echerica coli, shigella që mund të transmetohen lehtësisht përmes ushqimeve të kontaminuara.
“Temperaturat e larta favorizojnë shpërthimet e gastrointeriteve për shkak të mikrobeve që qarkullojnë përmes ushqimeve.”
Si shkak kryesor për fillimin e një gastrointeriti janë produktet e mishit, mishi pulës, gjithmonë lidhur me salmonelozën që kemi hasur këto kohë, prandaj apelohet me forcë përpunimi i ushqimeve.
Ushqimi bëhet i pasigurt nëse lihet në temperaturën e dhomës për më shumë se dy orë. Për të parandaluar shumimin e mikroorganizmave specialistët këshillojnë ruajtjen e tij në temperaturë nën 5 gradë Celsius dhe përgatitjen mbi 70 gradë Celsius.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 1 në 10 njerëz sëmuren pasi konsumojnë ushqim të kontaminuar. Ndërkohë që 110 miliardë dollarë humbasin çdo vit në produktivitet dhe shpenzime mjekësore si pasojë e ushqimit të pasigurt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme./abcnews.al