Helena tregon këshillën e Kadaresë për shkrimet: Jeta me një njeri të atillë kërkon impenjim të jashtëzakonshëm

schedule11:10 - 15 Shkurt, 2023

schedule 11:10 - 15 Shkurt, 2023

Gjatë një rrëfimi për “Pas Mesnate” në ABC News, Helena Kadare ka treguar se çfarë po shkruan aktualisht. Ajo ka treguar se gjatë shkrimeve të saj, është përpjekur të jetë e sinqertë, duke marrë parasysh edhe këshillat që Ismaili i ka dhënë.

“Aktualisht po plotësoj një cikël me tregime që kam kohë qe merrem, po unë punoj ngadalë në fakt. Nuk punoj me shpejtësi, për shembull, libri që fole, “Kujtimet, Kohë e pamjaftueshme”, më ka marrë 15 vjet rresht, duke punuar përditë.

Jam përpjekur të jem e sinqertë sepse ishte dhe këshillë e Ismailit që më tha: ‘Do shkruash kujtimet? Mos provo të fshehësh ndonjë gjë që të duket se del në dritë me të mirë. Domethënë, mos e quaj veten se po vura këtë hije, do dal keq. Do t’i vësh me hije dhe me dritë siç i ke në kokë. Mos kërko asnjëherë të shtrëmbërosh ndonjë gjë’. Edhe prandaj këtë e mora nga të gjithë mesazhet që më erdhën, që në fakt njerëzit kanë çmuar këtë gjë, sinqeritetin total”.

Helena theksoi se mund të kishte shkruar edhe më shumë, po nuk ka pasur ambicie. Ajo ka preferuar më shumë t’i përkushtohet jetesës me Kadarenë, pasi sipas saj kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm.

“Mund të kisha shkruar më shumë, sepse vetë jetesa me një njëri të atillë kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm. Nuk është edhe aq e lehtë. Nuk kam asnjë peng për këtë. E kam bërë këtë me vetdije të plotë. Jam tërhequr dhe nuk më ka bërë fare përshtypje kjo gjë që kam qendruar në hije. Sepse edhe nga natyra ime, nuk jam fare ambicioze, as karrieriste. Nuk kam kërkuar asnjëherë të kem një vend më të lartë seç kam pasur. Kam qenë një redaktore e thjeshtë në shtëpinë botuese. Nuk kam kërkuar asnjëherë të jem shefe, as drejtuese, asgjë. Është edhe natyrë e Ismailit që është shumë autoritare. Kështu që o nga kjo, ose nga karakteri im vetë, ka qenë një zhvendosje në hije, pa asnjë peng, me dëshirën më të madhe.

Mund ta them pa modesti, kam ndikuar shumë që jeta e tij të jetë sa më komode, sa më e paangazhuar në ato problemet e përditshme që ishin në komunizëm”./abcnews.al