Hekurudha Tiranë-Durrës, punimet nisin në Janar të 2019-s

schedule15:52 - 24 Korrik, 2018

schedule 15:52 - 24 Korrik, 2018

Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë Durrës do të nisi në janar të vitit 2019. Zbatimi i projektit do të bëhet i mundur pasi u miratua në parlament granti i fundit prej afro 90 milionë eurosh. Linja e re hekurudhore përfshin largimin përfundimtar të trenave me naftë dhe zëvendësimin e tyre me trena elektrikë.

90.6 milionë euro është granti që përmbyll faturën financiare të projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës me gjatësi 34.2 kilometra si dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me gjatësi 4.7 km.

Këtu përfshihen edhe degëzimet shtesë në Tiranë dhe Durrës, me gjatësi 980 metra dhe 800 metra respektivisht, për të lidhur linjën e re me terminalin publik.

Projektigji i miratuar në seancën e fundit parlamentare parashikon që projekti të nisë zbatimin në Janarin e ardhshëm dhe të përfundojë më 31 Dhjetor të vitit 2020, pas sigurimit të fondeve nga qeveria shqiptare.

Sistemi ekzistues hekurudhor i Shqipërisë u zhvillua në mes të 1947 dhe 1986. I tërë rrjeti është një pistë e vetme, jo të elektrizuar, me kalime unazore në stacione.

Linja e re hekurudhore përfshin largimin përfundimtar të trenave me naftë dhe zëvendësimin e tyre me trena elektrikë në linjën Durrës-Rinas-Tiranë e anasjelltas.

Përfitimet që parashikon të sjellë ky projekt është reduktimi i kohës së lëvizjes, zvogëlimin e trafikut rrugor, komoditetin në lëvizje, reduktimin e ndotjes dhe zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!