“Hekura mbajtes në vend të kollonave të betonit”, banorët në Manzë riparojnë vetë dëmet në banesa

schedule11:20 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 11:20 - 4 Dhjetor, 2019

Banorët e Manzës në Durrësit kanë filluar të riparojnë vetë dëmet e tërmetit në mungesë të inspektorëve për vlerësimin e objekteve të dëmtuara. Grupi i ABC NEËS ishte në këtë zonë ku shtëpia e familjes Djaloshi ka pësuar dëme të shumta dhe në pritje të grupeve të inspektimit ka vendosur hekura mbajtës në vend të kollonave të betonit, ndërkohë që fëmijët hyjnë çdo ditë në banesë. 

Inspektimi i objekteve të dëmtuara në Durrës kanë nisur, por rrethinat e tij janë ende në pritje të ekspertëve për të mësuar fatin që do të kenë shtëpitë e tyre. Kur java pas lëkundjeve të forta të tërmetit u mbyll, banorët e Manzës e humbën shpresën se dikush do t’i trokasë në derë për t’i vlerësuar dëmin që objekti i tyre ka marrë ndaj edhe filluan t’i restaurojnë vetë dëmet.

“Kemi marrë një inxhinier privat se bashkia nuk na ka ardhur fare, shtëpia jonë rrezikon shembjen, ne kemi dalë siç kanë dalë të gjithë njerëzit. U bë një javë dhe skanë dalë fare”, thotë banorja.

Në vend të kollonave të betonit, hekurat po mbajnë 3 katet e këtij objekti, ndërkohë që inxhinieri i kontaktuar nga familja e Edlirës objektin e ka cilësuar të banueshëm.

Edlira kërkon të dijë nëse objekti që ende ngjitet çdo ditë do të jetë apo jo i banueshëm.

Punën si mësuese ka vendosur ta braktisë për disa ditë dhe t’i dedikohet 3 fëmijëve të saj të cilët bashkë me frikën dhe përjetimet e tërmetit janë në ankth edhe mbi fatit që do të ketë ndërtesa ku ata u lindën dhe u rritën.

Prej disa ditësh grupet e inspektimit po vlerësojnë dëmet që tërmeti i 26 nëntorit la në objektet e dëmtuara. Nga konstatimet e bëra në tërren qindra objekte janë vlerësuar si të pabanueshme ndërkohë që për dhjetra të tjera është marrë vendimi për t’i prishur./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!