Haziri: Zgjedhjet e parakohshme, opsioni më real për të dalë nga ngërçi që e ka futur vendin qeveria Kurti

schedule16:44 - 19 Shtator, 2023

schedule 16:44 - 19 Shtator, 2023

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri theksoi se opsioni më real për të dalë nga ngërçi në të cilin e ka futur Kosovën Albin Kurti janë zgjedhjet e parakohshme. Gjatë intervistës për emisionin “Ballkan Update”, Haziri tha se Kurti ka frikë dhe se nuk është i gatshëm të ofrojë opsione për të dalë nga kriza.

“Nuk janë pjesëmarrës dhe fajtorë që t’i bartin këto pasoja. Në Kosovë dje keni parë deklaratën më të çuditshme, ku Kurti thotë se qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse i duhet një opozitë që nëse del në zgjedhje, mund të zhbëhet dhe kjo shpërfaq frikën politike të zotit Kurti. Nuk është i gatshëm as të dalë me opsione për të dalë nga situata që mund të jetë zgjedhjet e reja e jashtëzakonshme.

Përderisa opozita nuk ka mundësi me organizuar mocion për rrëzimin e qeverisë atëherë shpërbërja me marrëveshje mund të jetë një opsion ose dorëheqja e kryeministrit. Në asnjë rrethanë ku VV ka rol për të zhbllokuar situatën, ata nuk marrin pjesë. Në politikën e brendshme kemi dështim total, në ekonomi, çështjet sociale, arsimi, shëndetësia janë bllokuar.

Mund ta barazojmë dështimin e brendshëm dhe me dështimin në dialog dhe nuk ka perspektivë. Opsioni i zgjedhjeve të hershme mbetet opsioni më real për të dalë nga kjo situatë.”, theksoi Haziri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!