Hazard prezantohet si futbollist i Real Madrid para 50 mijë tifozëve

schedule12:50 - 14 Qershor, 2019

schedule 12:50 - 14 Qershor, 2019

Eden Hazard është prezantuar zyrtarisht si futbollist i Real Madrid para 50 mijë tifozëve. Belgu ka firmosur me gjigantin spanjoll për 5 sezonet e ardhshme.

Eden Hazard u prezantua para 50 mijë tifozëve si lojtari më i ri i Real Madridit. Sulmuesi belg ishte ëndrra e madhe e tifozëve madrilen të cilët sezonin e ardhshëm do ta shohin 28 vjeçarin me fanellën e skuadrës së tyre të preferuar. Ish sulmuesit të Chelseat iu rezervua një pritje e ngrohtë nga të pranishmit në Santiago Bernabeu.

Gjithsesi nuk arriti të thyente rekordin e vendosur nga Cristiano Ronaldo ku u prezantua si lojtar i Realit para 70 mijë tifozëve. Hazard do të qëndrojë në Bernabeu për pesë sezonet e ardhshme. Në fjalën e tij si madrilen, belgu kërkon që në këtë skuadër të shndërrohet në lojtarin më të mirë në botë.

“E kam ëndërruar gjithmonë të luaj për real Madrid. Mezi pres të fillojë sezoni. Jam shumë i emocionuar dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Do të luaj në çdo pozicion që të kërkoj trajneri. Ëndërroj të fitoj shumë tituj me këtë skuadër. Nuk e di nëse do t’i gjuaj unë penalltitë, apo kapiteni Ramos. Ishte moment i duhur për të ardhur tek Real Madrid. Mbylla një cikël të suksesshëm në jetën time dhe isha gati për një tjetër hap të madh. I kam kërkuar Luka Modriç numrin 10, por nuk ka pranuar ndaj më duhet të marr një numer tjetër. Nuk mund ta mohoj që trofeu i topit të artë është synimi im. Shpresoj të jem lideri i Real Madrid. Mendoj se Premier League dhe La Liga janë dy kampionate shumë cilësore me stile të ndryshme”, përfundon fjalën e tij Eden Hazard.

Belgu u transferua në Spanjë pas 7 vitesh të suksesshme te skuadra e Chelseat. /ABC News Albania 24/7