Haxhinasto: 15 kushtet e PE, përgjegjësia kryesore mbi mazhorancën

schedule14:05 - 6 Korrik, 2020

schedule 14:05 - 6 Korrik, 2020

Ish-ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka deklaruar se 15 kushtet e PE janë përgjegjësia kryesore mbi mazhorancën.

Në një deklaratë nga selia e LSI, Haxhinasto u shpreh: “Përfundimi i reformës zgjedhore, dhe asaj në drejtësi; plotësimi i detyrimeve për funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë; ndëshkimi i tjetërsimit të votës; legjislacioni për median dhe pakicat, administrata publike dhe e drejta e pronës; si dhe ndalimi i azil-kërkuesve, janë përgjegjësi të lidhura drejtpërdrejtë me mazhorancën”.

Deklarata e plotë:

Më 18 qershor, Parlamenti Evropian konfirmoi me Rezolutë se 15 kushtet e caktuara nga Këshilli Evropian duhen përmbushur nga Shqipëria, përpara thirrjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.

Faktin që këto janë KUSHTE, nuk e ndryshon dot as mohimi i tij nga mazhoranca, as besimi se me lobimin e fortë mund ta ndryshojmë qëndrimin e BE, në mënyrë të veçantë të disa shteteve kryesore, si Gjermani, Francë, Holandë, etj.

E vetmja mënyrë për t’i hequr ato nga axhenda mes nesh dhe BE është trajtimi i tyre me seriozitet dhe plotësimi sa më parë i tyre.

15 kushtet e Parlamentit Evropian janë vazhdim i detajuar më tej i atyre të Bundestagut gjerman. Tani, gjatë Presidencës Gjermane të BE, të filluar pak ditë më parë, nuk ka asnjë dyshim që interesi dhe përgjegjësia e Gjermanisë për ecurinë e zbatimit të këtyre kushteve do të jenë në nivelet maksimale, dhe për rrjedhim edhe vëmendja e tyre ndaj realizimit të këtyre kushteve.

Në fakt këto janë 15 kushte për të cilat mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore: Përfundimi i reformës zgjedhore, dhe asaj në drejtësi; plotësimi i detyrimeve për funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë; ndëshkimi i tjetërsimit të votës; legjislacioni për median dhe pakicat, administrata publike dhe e drejta e pronës; si dhe ndalimi i azil-kërkuesve, janë përgjegjësi të lidhura drejtpërdrejtë me mazhorancën.

LSI dhe opozita ka shprehur në vazhdimësi nevojën për angazhim gjithëpërfshirës për gjithë politikën për interesin e integrimit në BE, detyrim i madh ndaj qytetarëve shqiptarë. Shembulli i qartë ishte realizimi i reformës zgjedhore, e cila duhet formalizuar sa më pare në legjislacion.

Afrimi i mëtejshëm me BE është gjithashtu një faktor themelor për zbutjen e efekteve të jashtëzakonshme negative në ekonomi, të shkaktuara nga pandemia si dhe nga keq-qeverisja në përgjithësi:

Klima e biznesit po përkeqësohet, niveli i jetesës po ulet për shumicën e shqiptarëve, borxhi dhe deficiti buxhetor po rriten.

Ndërsa integrimi evropian është për qytetarët shqiptarë mundësi për një jetë më të mirë, për një shtet të drejtë qe i krijon mundësi për të gjithë, për arsim cilësor dhe punësim, për një të ardhme me shpresë për të rinjtë këtu në vendin e tyre.

Është koha që përgjegjësia dhe veprimi konkret të fokusohet tek të gjithë detyrimet e tjera ndaj BE. Përndryshe, ky do të jetë një dështim tjetër i dhimbshëm, një tjetër premtim madhor i pa mbajtur përpara shqiptarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!