Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në Byro Politike në ABC News është shprehur se ky 10-vjetor i pavarësisë e ka gjetur Kosovën në një raport më konstruktiv me Serbinë.
Sipas tij po punohet për arritjen e një marrëveshjeje historike midis dy shteteve.
“Në raport me Serbinë, ky 10-vjetor e gjen në një relacion më konstruktiv të një komunikim të drejtëpërdrejtë, qoftë në nivel presidencial, qoftë në nivel kryeministror, qoftë në nivel te dialogu që zhvillohet në Bruksel, dhe implementimit të marrëveshjeve, kështu që po punojmë maksimalisht, që fillimi i dekdës së dytë të pavarësisë së Kosovës të jetë fillimi i një marrëveshjeje historike midis kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Hashim Thaçi është shprehur në ABC News se vrasja e Ivanoviç ishte një problem për Veriun e Kosovës.
Ai tha në Byro Politike këtë të premte se nga të dhënat e hetuesve është e qartë se vrasja nuk ka motiv politik apo etnik.
“Natyrisht se ka pasur probleme të shumta dhe më herët. Vrasja e politikanit Ivanoviç ka dërguar mesazhin më të keq të mundshëm për atë hapësirë dhe më gjerë. Por nga të dhënat që kemi nga hetuesit, është e qartë! Ajo vrasje nuk ka ndonjë motiv politik apo etnik, por lidhen struktura kriminale dhe mafioze”, u shpreh Thaçi.
Më tej ai shtoi se pas kësaj ngjarjeje ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe sëbashku kanë arritur të qetësojnë situatën.
“Pas vrasjes kam folur me presidentin e Serbisë. Kemi diskutar për qetësimin e situatës dhe ia kemi arritur. Vuçic e ka vizituar Kosovën ditë më vonë. Jemi takuar dhe në Davos dhe kemi diskutuar për këtë problem”, tha presidenti i Kosovës, Thaçi./abcnews.al