Hashim Thaçi nderon solidaritetin e Kukësit në 1999

schedule14:13 - 9 Nëntor, 2017

schedule 14:13 - 9 Nëntor, 2017

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderoi Kukësin me “Urdhërin e Lirisë”. Dekorata më e lartë e shtetit të Kosovës u dha në shenjë mirënjohje për kontributin e banorëve të Kukësit në përballimin e krizës së vitit 1999. Kryebashkiaku Bashkim Shehu tha se kjo është një ditë e shënuar për Kukësin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte në qytetin e Kukësit ku dha për banorët e këtij qyteti medaljen “Urdhri i Lirisë” per kontributin dhe mikpritjen kuksiane gjate eksodit të vitit ’99. Gjatë ceremonies, Thaçi vlerësoi se falë solidaritetit dhe ndjenjës së pastër atdhetare, në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë, kosovarët e dëbuar gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare.

Presidenti Thaçi tha se tashmë pas 18 vitesh Kosova e Shqipëria janë faktorë të rëndësishëm në rajon, duke arritur aspiratat drejt rrugës për integrimin europian. Ndërsa kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu tha se është një ditë e shënuar pasi nderimi më i lartë për qytetin dhe banorët e tij vjen nga Kosova, e cila nuk harron mikëpritjen dhe bujarinë e Kukesit dhe kuksianëve.

Ceremonia e organizuar nga Bashkia e Kukësit u mbyll me këngë e valle të trevës në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!