Harta e re gjyqësore ka shkaktuar debate të shumta në radhët avokatëve dhe gjyqtarëve në vend. Ditën e sotme ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se kjo është vetëm faza e parë e konsultimit publik të hartës së re gjyqësore. Ai u shpreh se në përfundim të kësaj faze do të ketë një draft përfundimtar që do i nënshtrohet fazës së dytë të konsultimit publik.
“Kjo është faza e parë e konsultimit publik të hartës së re gjyqësore. Në përfundim të kësaj faze do të kemi një draft përfundimtar që do i nënshtrohet fazës së dytë të konsultimit publik ku do të marrin pjesë Ministria e Financave, KLGJ dhe aktorë të tjerë.
Harta e re është detyrim që buron nga ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Në hartimin e draftit me konsulencën e partnerëve ndërkombëtarë për të rritur sistemin gjyqësor. Është draft i punuar me kujdes nga KLGJ dhe ekspertët dhe ne si ministri jemi të hapur që të reflektojmë për të gjitha sugjerimet me vlerë”, tha Manja.
Ndërsa kryeprokurori Olsian Çela u shpreh se janë ndjekur me vëmendje ndryshimet e fundit.
“E kemi ndjekur me vëmendje ndryshimin e fundit të hartës së re gjyqësore. Një situatë e rënduar në sistemin gjyqësor. Në situatën ku ndodhemi numri i lartë i prokurorive dhe mënyra si janë shpërndarë kanë krijuar problem në lidhje me cilësinë që i ofrohet qytetarëve. Nisur nga projekti që është paraqitur bashkimi i prokurorive do sillte uljen e stokut për çështjet e pahetuara”, ka thënë ai. /abcnews.al