Harta e re gjyqësore, kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami: Kishim gjykata që nuk kishin gjyqtarë

schedule12:30 - 15 Qershor, 2022

schedule 12:30 - 15 Qershor, 2022

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami teksa raportonte në Komisionin e Ligjeve, është ndalur edhe tek ndryshimet me hartën e re gjyqësore. Sipas Llagamit vendimi për shkrirjen e gjykatave, ka ardhur si pasojë e mungesës së theksuar të gjyqtarëve. Harta e re gjyqësore ka ngritur në protestë avokatët nga i gjithë vendi, të cilët sot janë në ditën e dytë të bojkotit të seancave gjyqësore ndërsa paralajmërojnë se do të vazhdojnë edhe për dy ditë të tjera.

Llagami deklaroi se i gjithë procesi ka kaluar në disa faza konsultimesh me dhomat e avokatisë në rrethe dhe më pas i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë. Në Komisionin e Ligjeve, deputeti i PD, Saimir Korreshi ngriti pyetjen se çfarë i shtyu të marrin vendimin që të lënë vetëm një Gjykatë Apeli në të gjithë Shqipërinë dhe Llagami thotë se nuk ka kriter ligjor pasi duhen 7 gjyqtar që të funksionojë në një gjykatë.

“Janë bërë tetë takime konsultimesh publike. Kanë qenë të pranishëm përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë. Janë bërë edhe dy takime të tjera me përfaqësues të shoqërisë civile. Pas opinioneve që ka marrë grupi i punës, KLGJ ka miratuar raportin vlerësuar mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe gjykatave. KLGj me datë 10 qershor ka miratuar raportin vlerësues mbi riorganizimin e gjykatave nga 22 gjykata në 13 gjykata, për Apelin nga 6 gjykata në një gjykatë. Nuk po ndalem te çështjet e hartës për t’i lënë kohë më tej. KLGJ propozimin ia përcolli Ministrisë së Drejtësisë për konsultim me institucionet dhe më pas propozimi i përcillet këshillit të ministrave që është autoriteti që miraton hartën”, tha Llagami.

“Ne arritëm në përfundim për hartën e re gjyqësore dhe pas tryezës së rrumbullakët. Për të filluar, është çështje teknike që ligji për pushtetin gjyqësor, por të shkojmë në nenet 14/15, ka definicion për madhësinë e gjykatës, për KLGJ që duhet të ketë seksione. Kush është parashikimi ligjor? Një ligj me 3/5. Ata që kanë punë me gjykatat e dinë se disa gjykata ishin me 4 gjyqtar, që nuk kapnin kriterin ligjor. Edhe ato me 5 nuk e kapnin se duhen 7 gjyqtarë në Shkallën e Parë. Ligji thonte që përveç këtij kriteri duhet të mbaje parayssh edhe indikatorët.

Shqetësimi për gjykatën e Apelit Administrativ e kemi të gjithë. Kemi kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve. Që kur filloi ligji për implementimin tregoi se u kalua një çështje që nuk ishte e kësaj gjykate. Thelbi i krijimit të gjykatave ka lidhje me çështjet e reja që vijnë me çdo gjykatë, jo sa backlogu ka, por sa prurje ka. Po të shohim statistikat e Tiranës që është më e madhja, është një nga gjykatat më efektive. Edhe gjykimi i specializuar nuk dështon. Nuk mund të specializojmë gjyqtarë në gjykata të vogla. Nuk mund të jetë efektiv”, tha Llagami.

Sa i përket të rinjve që dalin nga shkolla e magjistraturës, Llagami sqaroi se deri në vitin 2028 do të ketë 144 kandidatë dhe ata duhet të kenë 3 vite eksperiencë. Me këtë shpjegon se nuk do të ketë gjyqtar të moshës 25 vjeç, por 28 vjeç.

“Sa i përket prurjeve dhe a ka menduar KLGJ për prurje të reja në sistem. Pa diskutim, kemi bërë studim dhe i kemi rritur në mënyrë graduale. Thuhej se do ishte 20%. Ne kemi qenë dhe ka qenë një deklaratë që kemi bërë vazhdimisht që studimet tona janë të matura dhe me hapa të vegjël. Sot kemi arritur që në 2028, duke nisur nga ky vit, parashikohet të hyjnë në sistem 144 kandidatë magjistratë. Këtë vit hyjnë 24, vitin tjetër 35 dhe më pas 45. KLGJ ka propozuar që viti i tretë i magjistratëve të jetë praktikë. Ne mund ti çojmë në gjykata të mëdha për çështje të thjeshta. Kandidatët duhet të kenë 3 vite eksperiencë, q ë do të thotë nuk dalin 25 vjeç, por 28 vjeç”, tha Llagami./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!