Harry Kane “shpëton” Anglinë

schedule21:58 - 18 Qershor, 2018

schedule 21:58 - 18 Qershor, 2018

Harry Kane ishte shpëtimtari i Anglisë ndaj Tunizisë në ndeshjen e grupit G të Botërorit. Kapiteni shënoi dy golat në stadiumin e Volgogradit.

Këtë herë nuk ishte “Zot shpëto Mbretëreshën”!

Himni, të paktën për kombëtaren e futbollit, duhej të ishte “Kane shpëton Anglinë”, sepse kështu edhe ndodhi në Volgograd.

Kapiteni nuk lejoi që shpikësit e futbollit t’i shtoheshin listës së gjatë të pretendentëve që dështuan në ndeshjet e para në Kupën e Botës.

Një futbollist modern, padyshim ndër sulmuesit më të mirë të botës, shënoi të dy golat në një fitore të vuajtur, por aspak të vjedhur të formacionit të trajneri Gareth Southgate.

Pjesa e parë, sidomos, ishte e jashtëzakonshme, me Anglinë që nuk u paraqit në fushë me yje, por me lojtarë në formë të shkëlqyer fizike dhe atletike, të bashkuar dhe tepër vertikalë.

Rastet pasuan njëri-tjetrin, përpara dhe pas golit të avantazhit shënuar nga Kane.

Lingard, Megajër, Sterling, sërish Megajër, Henderson e sërish Lingard patën raste të pastër dhe nuk u mor vesh sesi nuk shënuan.

Gjithsesi, Angli 2018 do të thotë edhe mungesë përvoje dhe kjo u pa jo vetëm tek humbja e shanseve për gol, por sidomos te gabimet në mbrojtje.

Një i tillë, nga Walker i Manchester City-t, i dhuroi Tunizisë penallti në minutën e 33-të.

Sassi nuk gaboi dhe u duk se ishullorët do të paguanin edhe një herë naivitetin e tyre.

Ky dyshim sikur u kthye në bindje, kur po në pjesën e parë, Ali, Sterling e Stones, bënë garë kush e kush të shpërdoronte golin e sigurt.

Tunizia u ndihmua edhe nga shtylla, por nuk mundi të shpëtonte deri në fund.

Kapiteni Kane bëri që Anglia ta niste mbarë Botërorin, duke pasur tani 3 pikë, po aq sa Belgjika edhe pse me golavarazh më të dobët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!