Pas Tiranës dhe Fierit, takimi i radhës i ish-kryeministrit Sali Berisha do të jetë në Vlorë. Ditën e shtunë, lideri historik i PD-së do ta zhvendosë “Foltoren” në qytetin bregdetar për t’u sqaruar militantëve nismën dhe për t’i dëgjuar. Nga një takim në tjetrin gjuha e përdorur nga Berisha sa vjen dhe forcohet kundër kryedemokratit Lulzim Basha.
Berisha u shpreh dje nga Fieri se forumet e PD-së do të mblidhen dhe Kuvendi i Partisë do të vendosë se çdo të bëhet me fatin e kryetarit. Por sot Lulzim Basha e ka përsëritur vendimin e shprehur edhe më herët që PD nuk do të mbledhë Kuvend Kombëtar për të shqyrtuar vendime të qeverisë amerikane.
“Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të pasur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të pasur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane” deklaroi Basha./ db/Abcnews.al