Basha i prerë ndaj Berishës: S’ka për të pasur kurrë Kuvend në PD që shqyrton vendimet e SHBA-ve

schedule11:33 - 22 Shtator, 2021

schedule 11:33 - 22 Shtator, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat në hyrje të Selisë Blu. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e bëra ditën e djeshme nga ish-kryeministri Sali Berisha, Basha u shpreh i prerë se synimi i tij kryesor është “largimi i regjimit dhe kthimi i vendit në shina.”

Sa i përket akuzave të liderit historik të PD për pazare me Edi Ramën për ndryshimet kushtetuese, Basha deklaroi se nuk do të ndodhë kurrë që ai të jetë peng i kryeministrit, ashtu siç e cilësoi paraardhësi i tij nga “Foltorja” e Fierit.

“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore  për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë të cilat sigurojnë një jetë të mirë për çdo shqiptar. Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave që nuk janë thjesht partiake, por janë partiake.”

Pasditen e së martës, nga Fieri Berisha deklaroi se forumet e PD do të mblidhen dhe Kuvendi i Partisë do të vendosë se çdo të bëhet me fatin e kryetarit. Mirëpo, kreu i demokratëve, e ka përsëritur sot vendimin e shprehur edhe më herët që PD nuk do të mbledhë Kuvend Kombëtar për të shqyrtuar vendime të qeverisë amerikane.

“Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën  shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të paSur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të pasur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane.”

Deklarata e Sali Berishës në Fier:

“Kryetari thotë që unë nuk do lejoj të mblidhet Kuvendi Kombëtar. Të gjithë ata në 30 vitet  që i kapi frika e forumeve kanë përfunduar keq. Prandaj bëhu burrë, mos ki frikë, mos mendo se mund ti shkelmosh, more një vendim pa i pyetur, mos luaj me pluralizmin. Kjo parti ka sjellë pluralizmin në Shqipëri. Forumet do mblidhen, Kuvendi i partisë do vendosë që çdo kryetar që i lejon vetes të marrë vendime që  nuk janë pushteti i tij, që në momentin që shpall vendimin përveç kohës së luftës është i shkarkuar dhe drejtimi i kalon nënkryetarit ose sekretarit të përgjithshëm. E more vendimin për të shpëtuar veten tënde, por nuk je më, do e thotë statuti këtë. Çka bërë zotëria; në fushatë elektorale vazhdonte, do hapim referendumet, ku shikoj unë ka hequr referendumin nga statuti i partisë, atëherë marrim Kuvendin dhe shkojmë në referendum. Duhet të flasë e gjithë anëtarësia jonë këtë herë.” /abcnews.al/