Haradinaj: S’hyhet në Kosovë duke kaluar mbi eshtrat e shqiptarëve të masakruar

schedule21:01 - 26 Nëntor, 2020

schedule 21:01 - 26 Nëntor, 2020

Shefi Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj është shprehur se nuk hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive dhe eshtrat e shqiptarëve të masakruar.

Në një postim të tijin në Facebook, Haradinaj shkruan se Kosova nuk pret që të ndiejnë dhembshuri krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviçit, “ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin”, por siç shton ai, pret pranim e kërkim falje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve.

“Pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lire”, thekson Haradinaj.

Ai shprehet po ashtu se veprimi i Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiç dhe të tjerëve në Republikën e Kosovës është i drejtë dhe se e përkrah fuqishëm.

“Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate.”

Postimi i plotë

“Nuk hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive e eshtrat e shqiptarëve të masakruar.
Ne nuk presim të ndiejnë dhembshuri krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviqit, ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin, por presim pranim e kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve .
Pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.
Andaj veprimi i Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiq dhe të tjerëve në Republikën e Kosovës është i drejtë dhe ne e përkrahim fuqishëm.
Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate.”  s.b/abcnews.al/