Haradinaj reagon pas vendimit të Kushtetueses: Të formohet sa më shpejt qeveria Hoti

schedule07:31 - 29 Maj, 2020

schedule 07:31 - 29 Maj, 2020

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Haradinaj ka bërë thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e Abdullah Hotit.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri thekson se çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shprehet ai.

Mbrëmjen e djeshme Gjykata Kushtetuese vendosi që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Me këtë vendim gjykata dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin e tij që ka mandatuar Abdullah Hotin për të formuar qeverinë e re. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!