Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Kosova nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Katalonjës. Gjithashtu në një intervistë për mediat spanjolle, shefi i qeverisë e konsideron Rusinë dhe Turqinë si vend armik të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën e njohur spanjolle, “El Pais”, ka saktësuar qëndrimin e qeverisë së tij lidhur me përpjekjet e Katalonjës për pavarësi. Gjithashtu nënvizon se zhvillimet e fundit në këtë shtet nuk mund të krahasohen me rastin e Kosovës me Serbinë.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Nuk do të njohim kurrë pavarësinë e Katalonjës. Kosova dhe Katalonja nuk kanë asgjë të përbashkët dhe për të vendosur ndonjë analogji është e pakuptimtë. Kosova ka lindur nga shpërbërja e Federatës Jugosllave, në një proces të përgjakshëm të të gjithëve kundër të gjithëve. Nuk është ky rasti i Spanjës, ku respektohen të drejtat civile dhe politike. Nuk mund të krahasohet represioni nën regjimin e Millosheviçit me sundimin spanjoll të ligjit; duke bërë atë është edhe ofenduese. Dhe kjo nuk ka të bëjë me shmangjen e ngjashmërive, por ato nuk ekzistojnë”.
Gjithashtu duke folur për armiqtë e Kosovës, Haradinaj nënvizon për “El Pais” se në mendje ka dy fuqi, ajo rajonale Turqia dhe ajo globale Rusia. Natyrisht, kjo zgjedhje e tij lidhet me ngjarjen e disa javëve më parë ku në Kosovë u ekstraduan në mënyrë shumë sekrete dhe pa dijeninë e shefit të qeverisë, 6 shtetas turq që kërkoheshin për akuzën e pjesëmarrjes në organizatën e imamit Fetullah Gylen, të cilin Erdogan e konsideron si terrorist.
Ramush Haradinaj: “Ne duam marrëdhënie miqësore me të gjitha kombet, por ne jemi shumë të kujdesshëm ndaj Ankarasë. Dëbimi i gjashtë qytetarëve turq ishte një keqkuptim, me të cilin shkarkova dy zyrtarë të lartë, ministrin e Brendshëm dhe kreun e shërbimeve të inteligjencës. Ngjarja krijoi një debat që doja ta shmangia, një debat i nxitur nga Presidenti Erdogan, por ne duhet të respektojmë Kushtetutën tonë, ligjet tona dhe konventat e të drejtave të njeriut. Procedurat ligjore nuk u respektuan dhe prandaj ndërhyra. Ne duhet të mësojmë nga ajo që ndodhi”.
Më tej, Haradinaj përgëzon qeverinë spanjolle të kryeministrit Mariano Rajoy për punën e bërë dhe i bëri thirrje që të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimeve euroatlantike. Por ky i fundit është shprehur vazhdimisht kundër Prishtinës dhe ka njoftuar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Madje po kërkon të shmangë edhe pjesëmarrjen në një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës./abcnews.al