Haradinaj për Al Jazeera: Europa humb shumë para me Kosovën e Serbinë

schedule12:38 - 27 Shkurt, 2018

schedule 12:38 - 27 Shkurt, 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj mendon se vendet europiane po humbasin shumë para, me Kosovën dhe Serbinë. Qëndrimin e ka shprehur për “Al Jazeera”, bashkë me thirrjen për zgjidhjen e çështjes së hapur mes dy vendeve.

Në një shkrim kushtuar Kosovës nga media arabe “Al Jazeera”, kryeministri Ramush Haradinaj flet për gjendjen aktuale në vend dhe për problemet me Serbinë. “Çdo komb europian humb para, duke e mbajtur Serbinë dhe Kosovën të pa përcaktuar. Kjo është e dëmshme për secilin komb europian, sepse nëse e mbajnë njërin nga rajonet e tyre të dobët, ata e mbajnë veten të dobët. Kemi humbur shumë kohë, dy dekada që nga lufta, dhe kjo është në Europë”, është shprehur Haradinaj për median arabe duke nënvizuar se “është shumë irracionale që të mbetet e papërfunduar çështja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Më tej ai thekson se pajtimi mes qytetarëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë është thelluar shumë, ndërsa përmend edhe ministrat e këtij komuniteti në qeverinë e tij.

Ndërkohë, shkrimi më tej për qëndrohet edhe tek çështja e Gjykatës Speciale që do të shqyrtojë pretendimet për krime lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë “Al Jazeera” ka marrë prononcimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delaëie. “Dhomat Speciale janë një element i sundimit të ligjit, është e rëndësishme që të sjellim drejtësi për viktimat, e të gjitha etnive, nga përpjekjet e Kosovës për çlirim në 1999-ën”, nënvizon diplomati amerikan.

Në anën tjetër, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thotë se Gjykata Speciale është në interes të Kosovës. “Do t’i respektojmë Dhomat Speciale. Do të kalojmë nëpër atë proces sepse është në interesat e Kosovës për ta hequr çfarëdo dyshimi rreth lirisë tonë”, është shprehur kryeparlamentari. Ndërsa në fund nënvizon se ndihet krenar për luftën për lirinë e vendit./abcnews.al