Haradinaj: Liberalizimi i vizave, javët në vijim

schedule13:45 - 19 Prill, 2018

schedule 13:45 - 19 Prill, 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi se ka dërguar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim një platformë për fazën finale të dialogut me Serbinë. Gjithashtu nënvizoi se liberalizimi i vizave do të ndodhë në javët e ardhshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë doli në një konferencë për shtyp. Shefi i ekzekutivit të Prishtinës, bëri të ditur se ka dërguar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim platformën për fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj, tha se kjo platformë ka për qëllim përmbylljen e fazës finale të këtij dialogu, duke qenë se dialogu ekzistues nuk po jep më rezultate. Kryeministri i Kosovës nënvizoi se tek kjo platformë është arritur pas një diskutimi të gjatë me kryetarin e Kuvendit, Presidentin dhe spektrin politik. Përveç kësaj, Haradinaj foli edhe për liberalizimin e vizave.

“Do të kemi edhe një vlerësim tani në Maj. Edhe njëherë do të testohet gjendja do të shihet, por unë nuk e kam të qartë se në javët që vijnë do t’i konfirmohet Kosovës vendimi për liberalizim nga BE-ja në fillim dhe pastaj nga qeveritë veç e veç”.

Ndërkohë, Haradinaj në konferencë foli edhe për mënyrën e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, si dhe ultimatumin e Listës Serbe për këtë proces. Ai nënvizoi se Asociacioni do të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se ultimatumi i dhënë nga Lista Serbe, se nëse nuk bëhen hapa konkretë nga Qeveria e Kosovës, ata do ta formojnë atë në mënyrë të njëanshme, nuk do të ketë ndonjë efekt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!