Haradinaj: Kurti rrezikon marrëdhëniet me SHBA nëse nuk përgënjeshtron zëdhënësin e tij

schedule14:07 - 19 Qershor, 2021

schedule 14:07 - 19 Qershor, 2021

Çështja e Asosacionit duket se do të jetë një pikë, ku palët që do të përplasen, nuk do të jenë vetëm liderët e Kosovës dhe Serbisë, por edhe përfaqësuesit e partive politike të Prishtinës.

Zëdhënësi i qeverisë aktuale, Përparim Kryeziu ka përsëritur deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se Asosacion etnik nuk mund të ketë, pasi kjo bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Madje ai ka deklaruar se marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar në 4 shtator në kuadër të dialogut mes dy vendeve, nën asistencën e ish presidentit Donald Trump ka shkelje kushtetuese, e si e tillë nuk mund të zbatohet.

Pas kësaj deklarate, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të hedh poshtë deklaratën e zëdhënësit të tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, Haradinaj thotë se “Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën, që është jetik për Kosovën, dhe se këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër”.

Edhe më i ashpër në qëndrim ka qenë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka ironizuar zëdhënësin e qeverisë duke e cilësuar atë si një njeri pa njohuri. Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit, Abdixhiku theksoi se ajo është e detyrueshme dhe në të mirë të Kosovës.

Pak ditë më parë edhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Filip Kosnet deklaroi se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është detyrim për qeverinë.

Në fakt formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është arritur në vitin 2013, ndërsa dy vjet më vonë, të dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, arritën një marrëveshje shtesë për themelimin e saj.

Por, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, parimet mbi të cilat është arritur kjo marrëveshje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!