Kryeministri Ramush Haradinaj bëri të ditur se Kosova do të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave në raportin që publikohet me 17 ose 18 Korrik. Shefi i qeverisë njoftoi gjithashtu se ka biseduar me Listën Serbe për shqetësimet e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se rekomandimi për liberlizimin e vizave do të publikohet brenda javës së ardhshme, dhe nënvizoi se këtu nuk përfundon e gjithë puna. Ai thotë se këtë hap e pason një proces mjaft i rëndë, sepse do të vendosë pastaj edhe Parlamenti Evropian dhe qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian.
Ramush Haradinaj: “Në procesin e vizave, rekomandimi do të jetë pozitiv, por nuk kryhet puna aty, sepse është parlamenti dhe janë qeveritë veç e veç, është proces bukur i rëndë. Të mos e humbim kondicionin as mediat, as shoqëria civile e as partitë. Mos ta heqim vëmendjen të gjithë”.
Më tej, Haradinaj ka sqaruar dhe takimin e tij të fundit me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç dhe Milan Radojiçiç. Shefi i qeverisë së Prishtinës njoftoi se ka biseduar për partneritetin me këtë forcë poltiike dhe shqetësimet e tyre.
Ramush Haradinaj: “Në Kuvend nuk i kam parë. Mirë është që të vijnë, humbin ata vetë. Proceset ecin, nuk është se mungesa e tyre në qeveri po e ndalë punën, ata humbin për vete. Është me rëndësi që Kosova është e hapur për serbet, por s’do të lejojmë që askush t’i kërcënojë pjesëtarët e FSK-së. Janë tema që s’kemi mundur t’i mbërrijmë të gjitha”.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës komentoi edhe projektrezolutën e iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në liberalizimin e vizave. Ai tha se mbështet këtë dialog dhe vazhdimin e tij./abcnews.al

