Haradinaj i kërkon qeverisë Kurti t’i zbatojë kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë për targat

schedule18:34 - 6 Nëntor, 2022

schedule 18:34 - 6 Nëntor, 2022

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, që të përfillet kërkesa e Amerikës dhe vendeve të QUINT-it, për shtyrjen e vendimit për targat.

Në të kundërtën, Haradinaj shkruan se ata që veprojnë ndryshe nga një rekomandim i tillë, nuk punojnë në interes të shtetit të Kosovës, shkruan klankosova.tv.

”Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dinë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponsorëve dhe satelitëve të saj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale;

Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri;

Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit;

Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës;

Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!