Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falenderuar presidentin amerikan, Biden, i cili i shkroi letër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, duke kërkuar njohje për Kosovën.
Kreu i AAK-së Haradinaj u premtoi te gjithëve në Kosovë, se pas 14 shkurtit, kur të bëhet president i Kosovës, kufijtë e Kosovës do t’i dinë të gjithë.
Biden në letrën e tij theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjera në letrën e Biden.