Haradinaj: Besojmë se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të jetë hap përpara për Kosovën

schedule19:28 - 2 Shtator, 2020

schedule 19:28 - 2 Shtator, 2020

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur sot se takimi në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, do të jetë një hap përpara për Kosovën.

Komente Haradinaj i bëri gjatë një takimi me kryetarët e degëve të Aleancës nga e gjithë Kosova gjatë të cilit u fol rreth çështjes së procesit të dialogut në Uashington me palën serbe.

Në këtë takim u bisedua edhe rreth zgjedhjeve të parakohshme brenda AAK-së dhe për shkak të masave anti-Covid u ra dakord që strukturat ekzistuese të vazhdojnë funksionimin deri në afatin e rregullt zgjedhor sipas statutit të partisë.

Postimi i plotë:

“Sot takova kryetarët e degëve të Aleancës nga e tërë Kosova. Informova kryetarët për zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, rreth çështjes së dialogut, ku AAK përfaqësohet nga ministrat Selimi dhe Haradinaj-Stublla.

Ne besojmë fuqishëm se takimi në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë një hap para për Kosovën. Besimi jonë në aleatët amerikan është i plotë.

Biseduam poashtu rreth zgjedhjeve të parakohshme brenda partisë dhe për shkak të pamundësisë për grumbullimin e njerëzve, u dakorduam t’i propozojmë Këshillit Drejtues që në respekt të vendimeve të qeverisë për masat kundër pandemisë, strukturat ekzistuese të vazhdojnë funksionimin deri në afatin e rregullt zgjedhor sipas Statutit të Aleancës. RH” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!