Prania e tifozëve në shkallët e stadiumeve është e palejuar, por Tirona Fanatics e gjejnë gjithmonë mënyrën për t’i qëndruar afër skuadrës së tyre të zemrës. Kampionët në fuqi të Tiranës, luajtën sot takimin e javës së dytë në Superiore kundër Teutës.
Problemet në “Selman Stërmasi” ndikuan që Tirana, që vinte sot si ekip pritës, të zgjidhte stadiumin e Pogradecit për t’u përballur me ekipin bregdetar, sfidë që e humbi 0-1. Ultrasit bardheblu udhëtuan drejt qytetit juglindor, duke shpalosur edhe një pankartë të madhe jashtë tij.
“Në stadium 20 kollare, një qytet në televizor. Futbollin si teatër, ju e latë pa spektator“, lexohet në pankartën plot ironi të Fanatics, të cilët postuan edhe një tjetër koment në faqen e tyre zyrtare në rrjetet sociale.
“Hapni stadiumet, na lini zgjedhje… Ne do zgjedhim t’jemi t’sëmur… Edhe kurrë mos ikt’ korona…as ne nuk do ikim KURRË“. /abcnews.al