Në Itali dëshira është e madhe që stadiumet të hapen. Napoli, Parma dhe Sampdoria kishin nga 1000 tifozë gjatë miqësoreve të tyre dhe kjo i nxit klubet që të kërkojnë hapjen e stadiumeve. Sigurisht me kapacitet të reduktuar.
Gjithsesi, në Itali gjendja nuk ka qenë e mirë për shkak se numri i të infektuarve me COVID-19 ka ardhur sërish në rritje. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka qenë i qartë në lidhje me hapjen e stadiumeve.
“Sa më takon mua, mund të them se prania e njerëzve në stadiume apo në tubime të mëdha, ku kontakti i ngushtë është i pashmangshëm, është e papërshtatshme”, është shprehur Conte, i cili mes të tjerash ka theksuar se nuk mund të mos ketë kontakte gjatë futjes së tifozëve në stadiume, sikurse edhe gjatë qëndrimit brenda.
Juventusi kërkoi së fundmi që në ndeshjen e parë kundër Sampdoria të ketë tifozë, një kërkesë që zor të merret parasysh. Edhe Komiteti Teknik Shkencor (CTS) mendon njëlloj si kryeministri Conte.
“CTS mendon se me situatën aktuale nuk janë kushtet që të lejohen ngjarje të mëdha me spektatorë. Shqetësimi është i madh, për të mos e mbingarkuar Sistemin e Kujdesit Shëndetësor me faktorë të ndryshëm të rrezikshëm”, është shprehur Silvio Brusaferro për “Corriere della Sera”. /abcnews.al