Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian, por duke listuar disa kushte. Deutsche Welle zbardh projektrezolutën e Bundestagut me kushtet që i vihen vendit tonë.
Grupet parlamentare të partive të koalicionit CDU/CSU e SPD kanë formuluar qëndrimin e tyre për të mbështetur hapjen e negociatave të anëtarësimit te Shqipërisë me BE, por me një sërë kushtesh.
Sic raporton Deutshe Welle, në projektrezolutën për Shqipërinë, Bundestagu e mbështet perspektivën e Shqipërisë për në BE dhe “vlerëson përpjekjet për reforma të Shqipërisë”.
“Gjermania dhe BE kanë interes të veçantë për stabilizimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, shkruhet në projektrezolutë.
“Zbatimi i reformës së gjerë në drejtësi ka nisur”, Vettingu “po jep rezultate konkrete”. Po të zbatohet me sukses kjo procedurë “Shqipëria do të jepte një kontribut të pashembullt paraprak”. Rëndësi të veçantë merr edhe vazhdimi i ngritjes së autoritetit për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar (SPAK).
Por njëkohësisht Bundestagu konstaton se megjithë sukseset, ka ende deficite. Në këtë kuadër projektrezoluta kujton rrethanën se “deri në mes të 2018-s duhet ta kenë kaluar procesin e vetingut më shumë se gjysma e rasteve të përcaktuara si prioritare”.
Por Bundestagu konstaton se korrupsioni në të gjithë sistemin juridik vazhdon të jetë problem, edhe pse janë bërë përparime të ndjeshme në luften ndaj kultivimit dhe tregtise se kanabisit. Në projektrezolutën e cituar nga Deutsche Welle konstatohet vazhdimi i parregullsive në administratën publike.
Bundestagu konsideron gjithashtu “të nevojshme” zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it dhe të Komisionit të Venecias të 2013 dhe 2015 për reformën e ligjit zgjedhor, “edhe nëse kjo nuk është pjesë e katalogut evropian të kërkesave”.
Në këtë sfond, Bundestagu gjerman ka qëndrimin se vendimi për nisjen e negociatave me Shqipërinë duhet të merret vetëm me “kushte të formuluara qartë”.
Si kushte prioritare që duhet të përmbushe vendi ynë, Bundestagu përcakton plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë në kuadër të Vettingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative dhe paraqitjen nga qeveria shqiptare të një ligj për reformën zgjedhore.
Po sipas dokumentit të Bundestagut, konferenca e dytë e anëtarësimit mund të zhvillohet vetëm atëherë, kur Këshilli të ketë konstatuar se Shqipëria ka plotësuar kushtet e tjera si:
-Zbatimin e ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor
– të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në Vetting se kanë bërë shkelje penale
– të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)
– të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar
– të ketë përparime solide në luften ndaj kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët.
– te kete rezultate të prekshme në reformën e administratës, duke përfshirë edhe “verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve”
– të vazhdojë me intensitet lufta ndaj trafikut dhe kultivimit të drogës në Shqipëri.
Veç elementëve të përmendur më lart, në pikën 5 të projektrezolutës se Bundestagut kërkohet që të mbeten me rëndësi në negociata” edhe “liria e mediave dhe e shtypit”, “të drejtat e personave në nevojë për mbrojtje dhe e pjesëtarëve të minoriteteve”, si dhe “një shoqëri e gjallë civile”./abcnews.al