Nga Ema Shazivari
Hapja e çerdheve dhe kopshteve ka sjellë edhe shtimin e virozave të stinës tek fëmijët. Kjo reflektohet edhe në urgjencat pediatrike në QSUT.
Shefja e shërbimit, Numila Kuneshka thotë se, prej më shumë se një muaji vihet re një rritje e vizitave krahasuar me periudhën e dimrit. Nga 100 urgjenca që kishte më parë, tashmë paraqiten deri në 260 në ditë.
“Një rritje e numrit të paraqitjeve në urgjencën e spitalit të pediatrisë në këto 2-3 muajt e fundit. Nëse gjithë periudhën e pandemisë numri i paraqitjeve në urgjencën e pediatrisë ka qenë mesatarisht 70-100 fëmijë në 24 orë, shikohet që këto dy muajt e fundit ka një rritje të paraqitjes së fëmijëve në urgjencën e pediatrisë. Ky numër shkon mesatarisht tek 200 fëmijë në 24 orë.”
Mjekja shpjegon se të tjerë faktorë që ka ndikuar në këtë rritje, janë ndryshimi i temperaturave dhe alergjitë e stinës.
“Janë virozat e stinës, që janë në këtë periudhë në qarkullim. Janë edhe alergjitë stinore. Patologjitë me të cilat fëmijët paraqiten janë ato respiratore, për të cilat marrin mjekim përkatës. Një pjesë e tyre shtrohen, janë me insuficenca respiratore.”
Mjekët në urgjencën e pediatrisë në qsut theksojnë se shumë prindër i sjellin fëmijët në spital pa qenë e nevojshme. Për të shmangur fluksin ata bëjnë apel që fillimisht ti drejtohen mjekut të familjes. /abcnews.al/